Protesta e gazetarëve, Kuvendi: Sistemi i ri rrit transparencën, është financuar nga BE

7 MAJ KUVENDI P1 frame 75164 1100x620

Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar zyrtarisht në lidhje me ndryshimin e rregullores së akreditimit të medias që i ndalon pjesëmarrjen gazetarëve në mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Përmes një deklarate zyrtare Kuvendi bën me dije se ndryshimet kanë ardhur me qëllim rritjen e transparencës së mbledhjeve të komisioneve dhe veprimtarive parlamentare duke ndërtuar një sistem të ri audio-video për ndjekjen dhe transmetimin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare, pasi ai aktual ishte shumë i vjetëruar.

Sistemi i ri audio-video është rekomanduar, financuar, konceptuar dhe ndërtuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, nëpërmjet Programit IPA 2014 të Komisionit Europian  për Shqipërinë.

Mes të tjerash, Kuvendi sqaron se sistemi audio-video është instaluar vetëm në sallat e komisioneve parlamentare, ndërsa seancat plenare do të vazhdojnë të transmetohen si më parë, pa asnjë ndryshim.

“Sistemi i ri rrit transparencën parlamentare dhe nuk e kufizon aksesin e gazetarëve, por e rregullon atë. Gazetarëve u mundësohet transmetimi i mbledhjeve të të gjitha komisioneve dhe ata zgjedhin vetë, në liri të plotë, informacionin që do të transmetojnë.

Transmetimi i mbledhjeve të komisioneve, realizohet në kohë reale nëpërmjet këtij sistemi dhe pa asnjë mundësi ndërhyrjeje. Sistemi nuk ka një regji qendrore, por komandohet nga vetë gazetarët, sipas nevojave të tyre. Gazetarët komandojnë sistemin dhe jo sistemi gazetarët. Sistemi i ri nuk i pengon gazetarët të hyjnë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit”, shkruhet në njoftim.

Gjithashtu Kuvendi shton se modeli është kopjuar nga shumë vende të tjera europiane dhe se nuk do të ketë asnjë lloj diferencimi për gazetarët e RTSH dhe ATSH.