Seanca për shkarkimin e Metës, Peza: Të ndiqet penalisht si prokurorët e gjyqtarët e shkarkuar

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në një seancë për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Partia Socialiste këtë herë është e vendosur për t’i shkuar deri në fund. Për anëtarin e Kryesisë së PS-së Alfred Peza, kjo do të mbahet mend gjatë pasi është hera e parë që një parlament merr një vendim të tillë kundër kreut të shtetit. I ftuar në Dita Jonë ai tha se ky është vendim i duhur për të krijuar një precedent që presidentët pas Ilir Metës të mos sillen në atë mënyrë, por të përfaqësojnë denjësisht shqiptarët.

“Këtë herë PS e mazhoranca është e vendosur për t’i shkuar deri në fund është nga ato ditët që do të mbahet mend gjatë se për herë të parë një parlament merr një vendim të tillë kundër kreut të shtetit që ka ardhur pas shume debatesh e diskutimesh dhe gjykoj që është vendimi i duhur i marrë në kohën e duhur, për të dhënë mesazhin për presidentin dhe për të krijuar një precedent për një standard të caktuar që edhe presidentët pas Ilir Metës të mos sillen në atë mënyrë, por vendi të ketë një institucion dinjitoz dhe të përfaqësojë shqiptarët”.

Sipas tij, Meta tejkaloi çdo limit dhe ligjvënësit duhet t’i vendosin nderin Republikës.

“Mazhoranca i bëri gjithë procedurat në mënyrë të përkorë sa priti përgjigjen e Komisionit të Venecias por në vend që ky ballafaqim të shërbente për reflektim nga ana e presidentit gjërat erdhën duke u agravuar dhe duke shkuar përtej, u tejkalua çdo limit dhe jemi në këtë moment që çfarëdo që mund të bëjë një njeri nuk mund të sillet si Meta president. Jemi në një moment kur shteti dhe ligjvënësit t’i vendosin nderin Republikës”.

Nëse shkarkimi i kreut të shtetit miratohet nga Kuvendi do të duhet të shkojë në kushtetuese, për të cilën Peza thekson se kjo është një nga provat e saj të rëndësishme për të dhënë drejtësi.

“Pas Kuvendit shkon në kushtetuese. Nuk diskutohet për të dalë pro ose kundër Gjykatës Kushtetuese, por unë gjykoj që Gjykata Kushtetuese është në një nga provat e veta të para më të rëndësishme sa i takon pritshmërive të qytetarëve për reformën. Sa institucionet e reja janë të pandikuara nga mazhoranca apo opozita? E rëndësishme është që edhe “qiejtë të shemben dhe të jepet drejtësi në këtë vend”.

Duke sjellë në vëmendje vetingun në drejtësi, Peza thekson se edhe rasti i presidenti Meta duhet ti përgjigje kësaj fryme, ku përveç shkarkimit të shkojë edhe për ndjekje penale

“Është krijuar një praktikë që përveçse të dalë nga sistemi prokurorët e korruptuar dhe ata që nuk përmbushin kriteret jo vetëm që mos kenë të drejtën e gjyqtarit e prokurorit, por edhe të çohen për ndjekje penale. Besoj se edhe ky rast duhet t’i përgjigje kësaj fryme nëse do të ketë elementë për ndjekje penale, përveç shkarkimit”.

I pyetur se mazhoranca ishte ajo që e zgjodhi Ilir Metën president, Peza shprehet se në atë kohë mazhorancës i duhej bashkëpunimi me një parti tjetër për shkak të votave, por askush sipas tij nuk mund të parashikojë se dikush çmendet në detyrë.

“Askush nuk mund të parashikojë që dikush mund të çmendet në detyrë. PS nuk i kishte votat për të zgjedhur presidentin dhe duhet t’i bashkosh me një forcë tjetër për të mos krijuar ngërçe institucionale. Ishte pjesë e një vendimmarrje që çonte logjikisht bashkëpunimin me një parti tjetër. Një person që ka qenë edhe kryeministër dhe kryetar kuvendi dhe është sjellë në një mënyrë lineare nuk mund të parashikosh dot që të kalojë në të kundërtën e vet, se janë gjëra të paparashikueshme, kur halle personale e detyrojnë njeriun të sillet si Meta”.

Kjo është java më e nxehtë politike në vend për shkak të seancës së shkarkimit të presidneti Meta, kongresit të PS-së dhe zgjedhjeve për kryetar të Partisë Demokratike. Për këtë të fundit, Peza thekson se opozita ndodhet në një krizë të thellë, por i sugjeron që pas të gjejë rrugën e  arsyes dhe të lexojë siç duhet votën e 25 prillit.