SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të Dritan Dajtit

Prokuroria e Posaçme, SPAK kërkon konfiskimin e disa prej pasurive të Dritan Dajtit, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e 4 policëve.

Kërkesa është bërë për llogari të disa pasurive të evidentuara gjatë Operacionit Forca e Ligjit. Gjykata e Posaçme ka caktuar shqyrtimin e kërkesës së SPAK, këtë të mërkurë në orën 13:30.

Dritan Dajti është një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Shqipëri. Ai po vuan dënimin për vrasjen e 4 policëve në 2009.Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari, mbetën të vrarë në operacionin e Policisë me 7 gusht të vitit 2009, kur efektivët e Njësisë Operacionale të Policisë së Shtetit, ndërhynë në zonën e plazhit për të arrestuar Dajtin i cili ishte në kërkim, pasi ai ishte dënuar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, ngjarje e ndodhur në vitin 1999 në Tiranë.