Gjoni në “Absolut 4”: Qytetarët më realist për anëtarësimin, individualisht e kanë gjetur rrugën drejt BE

Analistja Edlira Gjoni deklaroi në “Absolut 4” se ballkanasit janë bërë më realist për anëtarësimin në BE. Sipas Gjonit individualisht ata e kanë gjetur rrugën e tyre drejt vendeve të BE, ndërsa institucionalisht vijojmë të jemi mbrapa.

“Pritshmëritë e qytetarëve vazhdojnë të jenë të larta por tani kuptimi që ka qytetari mesatar i vendeve të Ballkanit Perëndimor është më realist, të paktën në afate kohore. Që kur është rrëzuar perdja e komunizmit dhe ish-Jugosllavia jemi në një proces që ka marrë emra të ndryshëm.

Kemi BE, nuk e di si e kanë perceptuar ballkanasit, që aq shumë e kemi parë si një ëndërr që duhet ta kapim sa meqënëse nuk po e kapim dot institucionalisht, shifrat janë të këtilla që në mënyrë të vazhdueshme kemi një rrjedhje jo vetëm të trurit, por të gjithë njerëzve, familjeve, të gjitha llojeve të shtresave, profesioneve që largohen nga Ballkani Perëndimor drejt vendeve të Bashkimit Europian. Individualisht njerëzit e kanë gjetur rrugën e tyre për t’ju bashkuar vendeve të BE dhe për të ndërtuar atje jetën e tyre. Çështja është se vendet tona institucionalisht vazhdojnë të jenë mbrapa, ai 75% është prapë në rënie me çka qenë në fillim të viteve 2000 sepse ka qenë dhe diku afër 98%, në fillimet e para.

Vetëm që njerëzit tani sigurisht që e duan mbështetjen por janë skeptikë që kjo do të ndodhë.”, u shpreh Gjoni.