KPA shkarkon nga detyra Anton Martinin

Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin Anton Martini.

I komanduar në Prokurorinë e Tiranës, ish-prokurori i Krimeve të Rënda kaloi shkallën e parë të rivlerësimit në janar 2020 me shumicë votash. Por vendimi i konfirmimit u ankimua nga Komisioneri Publik në qershor.

Pas disa përballjeve në seancat e zhvilluara, u vlerësua që pretendimet e Komisionerit Publik të ishin të drejta.

Sipas KPA, Martini kishte mangësi në justifikimin e burimeve për pagesën e këstit të parë të kredisë që kishte marrë për të paguar një apartament në kryeqytet.

Gjithashtu KPA tha se Martini ka pasur probleme në menaxhimin e çështjeve kur ka qenë drejtues i Prokurorisë së Shkodrës.

Prej më shumë se 10 vitesh, Martini ka qenë në mbrojtje policore, për shkak të dosjeve të nxehta që ka pasur në duar, si ajo e bandës së Durrësit, e Cërrikut, apo çështje të tjera si e Lazaratit dhe Arben Frrokut, i dënuar për vrasjen e komisarit të policisë, Dritan Lamaj.