Mbi 40 mijë arsimtarë dhe edukatorë të vaksinuar, Manastirliu: Lehtësim për vitin e ri shkollor

Mbi 40 mijë pedagogë, mësues dhe edukatorë janë vaksinuar, nga të cilët rreth 11 mijë i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës, thotë Ministria e Shëndetësisë. Që prej nisjes së procesit të vaksinimit janë mbi 816 mijë qytetarë të vaksinuar, nga të cilët, 320 mijë i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-covid.

Pasi ka ndjekur gjatë paradites vaksinimin e pedagogëve dhe mësuesve me dozën e dytë të vaksinës AstraZeneca, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se ky proces do të lehtësojë ndjeshëm procesin arsimor për vitin e ardhshëm.

“Është shumë e rëndësishme që edhe dozat e dyta të bëhen sipas kalendarit të vaksinimit për të gjitha kategoritë, për të gjitha grupmoshat edhe për të gjitha llojet e vaksinave. Sot kemi vaksinimin e mësuesve, pedagogëve, edukatorëve. Ndërkohë që në sheshin “Skënderbej” dhe në të gjithë pikat e tjera vijon vaksinimi sipas grupmoshave, duke vijuar edhe me të gjithë pjesën tjetër të qytetarëve, të cilët kanë sëmundje kronike dhe i përkasin moshës deri 60 vjeç”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik rekomandojmë dozën e dytë edhe pas disa ditëve, sipas specifikave të vaksinës, duke u shprehur se vaksinimi do të vijojë me të njëjtin ritëm dhe kujdes për të mbrojtur sa më shumë qytetarë. “Ne vijojmë me të njëjtin kujdes edhe me të njëjtin ritëm, për të mbrojtur sa më shumë qytetarë, sipas grupmoshave, por edhe kategorive më të rrezikuara. Kategoria e mësuesve është shumë e rëndësishme sepse na jep një lehtësim shumë të madh për vijimin e qëndrueshëm të vitit shkollor që fillon në shtator”, tha Manastirliu.