Nga samiti i Tiranës, projektet rajonale dhe integrimi në BE, Majlinda Bregu, intervistë për A2

Nga A2 CNN
10 Qershor 2021, 21:55 | Politikë
Nga samiti i Tiranës, projektet rajonale dhe integrimi në BE, Majlinda

Në një intervistë për producenten ekzekutive në A2, Merita Haklaj, sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, komentoi samitin rajonal të mbajtur këtë të enjte në Tiranë, projektet, por edhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor e veçanërisht të Shqipërisë.

Intervista e plotë

Merita Haklaj: Në optikën tuaj si sekretare e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, cila do të ishte vlera e këtij samiti që po përmbyllet në Tiranë?

Majlinda Bregu: E para, takimi i liderëve të 6 vendeve. E dyta sepse ky samit zhvillohet në prag të samitit të Berlinit, ku janë një sërë agjendash dhe detyrimesh për liderët e rajonit e kanë firmosur po vetë vjet në nëntor, të cilat duhet të fillojnë të bëhen realitet. E treta, është e rëndësishme për lajme të cilat edhe komisonieri i solli. Përpjekja më e madhe le të themi për përqendrimin e investimeve për projektet që janë të rëndësishme për rajonin. Këtu flas për grantet dhe jo për kreditë. 500 milionë euro grante do të jenë për projekte jo vetëm të infrastrukturës, por edhe të infrastrukturës digjitale. Sigurisht edhe përcjellja e lajmeve të tjera të mira dhe angazhimeve. Për shembull, më 1 korrik ne fillojmë “roaming free” në rajon me tarifë zero. Pas këtij momenti do të fillojnë menjëherë përpjekjet për të bërë të mundur të njëjtin regjim të reduktimit të tarifave, së pari me vendet e Bashkimit Europian, derisa të arrijmë pastaj në një nivel zero. Apo mbajtja dhe çuarja më tej e asaj që ishte një nga historitë e suksesshme të rajonit. Ne nuk u bllokuam gjatë pandemisë as për ushqime dhe as për ilaçe.

https://a2news.com/2021/06/10/rajoni-te-dera-e-be-dervishi-nuk-mund-te-duartrokasim-per-nje-mision-te-kryer-por-jane-bere-hapa-pozitive/

Merita Haklaj: E keni fjalën për Korridorin e Gjelbër?

Majlinda Bregu: E kam fjalën për Korridorin e Gjelbër që është një nga ato iniciativa të cilat na bëjnë të ndjehemi krenarë për fatin se e iniciuam. Sot kemi marrë lajmin e mirë që një nga vendet anëtare të BE, Greqia, është gati që ta nisë projektin pilot për të bërë të mundur mbajtjen e kufijve hapur për mallrat dhe ilaçet. Sigurisht edhe të gjitha agjendat e tjera që janë diskutuar sot, nga ajo industriale, e turizmit të qëndrueshëm, liria e qytetarëve.

Merita Haklaj: Kemi dëgjuar për tranzicion digjital dhe të gjelbër. Çfarë janë?

Majlinda Bregu: Tranzicioni digjital është kalimi i fazës së ekonomive tona atje ku sot janë edhe vendet më të zhvilluara. Për shembull, të gjitha vendet tona kanë nevojë për një sistem rajonal, nevoja për investime gjithashtu është e madhe. Ju thash pak më parë se me të vërtetë do të jenë 500 milionë euro grante për Shqipërinë, por vetëm “Broadband”-i (sistemi rajonal) për Shqipërinë kushton 600 milionë. Mendoni se sa nevojë ka për të mbledhur fonde nga donatorët dhe njëkohësisht edhe kredi të buta nga bankat. Tranzicioni i gjelbër është një sfidë botërore. Të gjithë flasin sot për ndryshimin e klimës. Ne kemi filluar që vjet të drejtojmë agjendën e gjelbër në rajon. Kjo do të thotë, më pak ndotje ajri, më pak ndryshim industrial që të mos i orientuar për nga ruajtja e ambientit e mjedisit, të cilat janë sot sfida botërore. Jo më kot, ne kemi një ditë shi, një ditë diell me shi, e të tjera me radhë, të cilat vijnë edhe nga ndotja atmosferike. Pra, t’i japim mundësi rajonit gradualisht, pasi nuk bëhet menjëherë, të ketë një ekonomi e cila të jetë e pastër, e gjelbër.

https://a2news.com/2021/06/10/projektet-nga-samiti-shqiperia-pa-prioritete-calon-tek-zbatimi/?utm_source=a2-related&utm_source=a2news&utm_campaign=general

Merita Haklaj: Pse përmbushja e angazhimeve për tregun e përbashkët rajonal konsiderohet nga ju, në një kontekst delikat, jo vetëm politik dhe ekonomik, të tillë e cilësuat gjatë fjalës suaj në takimin e para pak ditëve...

Majlinda Bregu: Ne nuk jemi politikanët e vende të cilat marrin përsipër angazhime dhe që duan t’i zbatojnë. Jemi të ndërgjegjshëm që ka problematika, ka probleme dhe çështje bilaterale të pazgjidhura në rajon. Por për këtë arsye, nevoja që ka rajoni për investim, nevoja që kanë qytetarët për zhvillim, nevoja që kanë qytetarët e rajonit për të lëvizur lirshëm te njëri-tjetri, e bën të domosdoshme çuarjen përpara të këtyre agjendave. Nuk ka asnjë problem sa i përket pjesës së zgjidhjeve teknike. Pra, nuk ka asnjë problem sot nga grupet negociatore teknikisht që të mos hyjë në fuqi në korrik lëvizja e lirë e qytetarëve në rajonin me kartë identiteti. Shumë prej ekonomive të rajonit e kanë sot, por Bosnja dhe Kosova kanë ende viza me njëra-tjetrën. Askush nuk pret sot për sot që Bosnja të njohë Kosovën, por nëpërmjet marrëveshjeve rajonale do t’u japim mundësi qytetarëve që të lëvizin me kartë identiteti, t’i japim mundësi mjekëve apo dentistëve që t’u njihen profesionet që të kenë mundësi të mos kërkojnë vizë.

https://youtu.be/BJafTIce05g

Merita Haklaj: Pra, janë qëndrimet politike që po krijojnë vështirësi?

Majlinda Bregu: Si gjithmonë, ne nuk mund të themi se çdo gjë shkon mrekullisht, nuk shkon mrekullisht në asnjë vend të botës, por në rajon vështirësohen dy herë e më shumë problematikat pikërisht për shkak edhe të problemeve politike të çështjeve të pazgjidhura.

Merita Haklaj: Folëm për projekte të rëndësishme që realizohen mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, por për qytetarët e rajonit, veçanërisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat vazhdojnë të jenë në një cirk të gjatë... çështja e negociatave. Më përpara, dukej se Maqedonia e Veriut ishte para nesh, por Shqipëria jo, kurse kësaj here situata ka ndryshuar për shkak të një vetojë bullgare. Sa e komplikon këtë?

Majlinda Bregu: Sa herë që më duhet të flasë për negociata dhe çështjen e integrimit eruopian, më duket se përsëris veten për më shumë se 15 vjet. Edhe sikur të isha njeri më naiv në botë nuk do të më mbante gjatë naiviteti për të besuar se historia e integrimit dhe e bashkimit me Europën si vend anëtar është një proces që mbyllet së shpejti. Por, është e domosdoshme për të mbajtur jo vetëm vëmendjen gjallë, por për të mbajtur rolin dhe premtimet e dhëna të Europës në rajon që ky proces të mos ndalet, është jetik për Europën, sa është jetik për Ballkanin Perëndimor. Për ne është jetik që të mos mbetemi jashtë, për Europën është jetik që Ballkani Perëndimor të mos mbetet një zonë me ndikimin e influencave të tjera, të cilat mesa duket nuk e kanë kaq të vështirë gjetjen e rrugës për të qenë prezente.

Merita Haklaj: Doja t’iu citoja edhe diçka që ju keni thënë te fjalimi para pak ditësh: E ardhmja nuk qëndron në marrëveshje samitesh, por tek ato gjëra që janë thelbësore për jetën e banorëve të rajonit tonë, si largimi i popullsisë, arsimi, biznesi, teknologjia, vendet e punësimit, digjitalizimi, e të tjerë. A ka sipas jush një realitet të largët mes marrëveshjeve që arrihen dhe zbatimit në realitet?

Majlinda Bregu: Jemi në përgjegjësi shumë më të mirë për të nënshkruar marrëveshje sesa në zbatimin e tyre. Kjo nuk ndodh vetëm për marrëveshjet rajonale, por është një sfidë për çdo qeveri të çdo vendi. Jemi më të mirë në programim sesa në zbatim. E vërtetë është se ne kemi sot tregun e përbashkët rajonal në fuqi të firmosur nga liderët e rajonit prej nëntorit të vitit të kaluar. Por nuk është ligj natyre tregu i përbashkët rajonale, por përpjekje për të bërë të mundur këto agjenda: lëvizjen e lirë të qytetarëve me kartë identiteti, mbajtjen e kufijve të hapur në rajon për tregtinë, krijimin e mundësive për të pasur një turizëm të qëndrueshëm dhe për t’u dhënë mundësi bizneseve, të cilat merren me turizmin, të lëvizin në rajon, mundësinë për të lehtësuar lëvizjet, hyrjet-daljet e qytetarëve që vijnë nga vendet e treta në rajon, agjendën digjitale që është kaq e rëndësishme, ku nuk është vetëm “roaming”; punësimin, mbajtjen e të rinjve në rajon, të cilët po largohen masivisht vit pas viti. Pra, procesi i bashkimit dhe i integrimit Europian në rast se vonohet gjithmonë e më shumë, rrezikojmë që të kemi atë që po ndodh sot e kësaj dite, qytetarët mund t’i bashkohen një nga një dhe tek e tek duke u larguar për të gjetur një punë, Bashkimit Europian dhe ne këtu të kemi vetëm një retorikë politike, ndërsa realiteti mund të ketë ndryshuar para se të mbyllet edhe procesi përfundimtar me BE. Ka rëndësi për sigurinë, për të mbajtur një rajon të qëndrueshëm dhe të sigurt. Në fund të fundit, BE vazhdon të mbetet partneri kryesor ekonomik për vendet tona me 73%, qytetarët e rajonit me 63% mbështesin totalisht anëtarësimin me BE. Nga ana tjetër, më vjen mirë që 77% e qytetarëve të rajonit janë tashmë të bindur se procesi i marrëdhënieve të mira me fqinjët, bashkëpunimi rajonal, biznesi, të rinjtë, njohja e diplomave, kualifikimeve, është për ta i rëndësishëm. Pra, 77% e tyre sot e dinë që marrëdhëniet e mira me fqinjin dhe nevoja për të pasur zhvillim ekonomik më të thelluar në rajon është e domosdoshme.

Merita Haklaj: Dhe ju thoni se ka një përmirësim të ndjeshëm të këtij perceptimi?

Majlinda Bregu: Këtë e thonë qytetarët dhe ne vetëm e lexojmë nëpërmjet matjes së opinionit.

Merita Haklaj: Një domethënie për ju, rifillimi i dialogut mes Serbisë dhe Kosovës edhe në këtë kontekst rajonal edhe në atë që qytetarët e Serbisë dhe të Kosovës në realitet mund të...

Majlinda Bregu: Shpresoj shumë. Më datë 15 rikthehet dialogu dhe sigurisht është përqendrim. Dialogu zhvillohet mes Prishtinës dhe Beogradit, por ka rëndësi jetike për të gjithë rajonin. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/06/10/ngerci-me-rmv-per-integrimin-vurmo-do-te-doja-qe-bullgaria-te-linte-nje-shenje-pozitive-ne-samit/
https://a2news.com/2021/06/10/pritja-qe-rama-iu-rezervoi-lidereve-te-ballkanit-gjoni-ishte-ne-delir-dukej-si-i-zoti-i-dasmes/

A2 CNN Livestream

Latest Videos