Ngërçi me RMV për integrimin, Vurmo: Do të doja që Bullgaria të linte një shenjë pozitive në samit

Në Absolut 4 në A2 u diskutua dhe çështja e ngërçit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që mund të çojë në një tjetër bllokim të ecjes përpara në rrugëtimin europian dhe për Shqipërinë.

Analisti Gjergji Vurmo u shpreh se Bullgaria duhet të japë një sinjal pozitiv në samitin e qershorit pasi ka mundësi të tjera për të vendosur ndaj Maqedonisë.

“Nuk mendoj se është aq surprizë. Në praktikën e mbledhjeve të ministrave dhe samiteve të BE asnjë shtet nuk do të donte të ishte i vetmi që të vendoste veton, vetëm kur është e rëndësishme. Politika e zgjerimit nuk është aq e rëndësishme për asnjë shtet anëtar deri në atë pikë sa ai shtet i vetëm të vendosë veton. Kur bëhet fjalë për buxhetin e BE, po patjetër. Nëse do isha në vendin e Bullgarisë do e lija këtë samit me një vendim pozitiv. Bullgaria mundet shumë mirë të abstenojë. Nga ky samit në atë tjetrin Bullgaria do të ketë mundësi 3 herë të vendoste veton”, tha Vurmo.