“Rajoni, te dera e BE”, Dervishi: Nuk mund të duartrokasim për një mision të kryer, por janë bërë hapa pozitive

Në Absolut 4, nga ku u diskutua për samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, si dhe integrimin e rajonit në BE, analisti Lutfi Dervishi u shpreh se janë bërë hapa të rëndësishëm krahasuar me 7 vite më parë, nga procesi i Berlinit, por ai thekson se sërish nuk është koha për të “duartrokitur”.

“Shqipëria është peng i ngërçit Maqedoni e Veriut-Bullgari. Është lajm i mirë mbajtja e samitit në Tiranë, po ashtu kaloi edhe pa incidente. Gjëja interesante është që kryeministri përmendi procesin e Berlinit. Në momentin që është Shqipëria, duke u përgatitur për konferencën ndërqeveritare dhe Kosova merr liberalizimin e vizave, procesi i Berlinit e humbet disi fuqinë, pasi ky ishte synimi i tij të mbante vendet afër. Politika gjermane e konsideron Ballkanin Perëndimor si oborrin e përparmë.

Nuk mund të duartrokasim për një mision të kryer, por rajoni është shumë më mirë se 7 vite më parë kur nisi procesi i Berlinit, krahasuar me bashkëpunimin”, tha Dervishi.