Rama: Besoj që Varhelyi ndihet mirë që maskat e Brukselit i hoqi në Tiranë

“Kemi mundësinë të mirëpresim miqtë tanë pa masa shtrënguese dhe besoj që edhe komisioneri dhe delegacioni, ndihet mirë që maskat e Brukselit i hoqi në Tiranë”. Kështu u shpreh kryeminsitri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me komisionerin e Zgjerimit Oliver Varhelyi, pas samitit të Ballkanit Perëndimor, ku merrnin pjesë 6 liderë të rajonit. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shqiptare, tha se plani ekonomik i investimeve përbën lëvizjen më të madhe historike të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, BE-ja e ka bërë të vetën dhe është momenti që rajoni të bëjë pjesën e vet.

“Të gjithë së bashku jemi mbledhur për të shtyrë përpara një proces që nuk ka rëndësi si e quan njëri apo tjetri, por ka rëndësi të çojë përpara jetësimin e 4 lirive të Europës në rajonin tonë dhe sepse ky proces është i mbështetur nga një paketë financiare në kuadrin e një plani ekonomik dhe investimesh të BE-së që për nga volumi i fondeve të vëna në dispozicion të bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimit rrënjësor të infrastrukturës rrugore, hekurudhore e portuale të  interkonektivitetit dhe të gjithë sektorit të energjisë dhe digjitalizimit përbën lëvizjen më të madhe historike të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor. Takimi nuk ishte virtual dhe kemi mundësinë të mirëpresim miqtë tanë pa masa shtrënguese dhe besoj që edhe komisioneri dhe delegacionin djehet mirë që maskat e Brukselit i hoqi në Tiranë dhe gjërat janë konkrete, planet e punëve janë konkrete dhe ky është momenti që BE-ja dhe KE-ja të vetën e kanë bërë plotësisht. Na takon ne të bëjmë tonën”.  

Kryeministri shprehu vendosmërinë e tij për projektin e minishengenit ballkanit, si një projekt strategjik me përfitime të jashtëzakonshme ekonomike, sociale dhe politike për të gjithë rajonin. Rama tha se ambicia është që takimi i 5 korrikut të jetë i fundit që bëhet në formatin e deritanishëm dhe ai i viti të ardhshëm të bëhet nën kujdesinë KE me praninë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ne mbetemi të palëkundur se projekti i shengenit rajonal është një projekt strategjik me përfitime të jashtëzakonshme ekonomike, sociale dhe politike për të gjithë rajonin tonë dhe më vjen mirë që sinergjia e këtij vizioni me BE është e plotë. Procesi i Berlinit është zanafilla dhe jemi në kushtet kur por zotërojmë procesin dhe procesi i Berlinit të kalojë në duart e KE. Dëshirojmë që takimi i 5 korrikut të jetë i fundit që bëhet në formatin e deritanishëm dhe ai i viti të ardhshëm të bëhet nën kujdesin e KE me praninë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE. Kjo është një ambicie e jona, që e ndajmë me komisionerin”.

Një tjetër çështje e diskutuar në këtë samit ishte dhe kërkesa që liderët e rajonit i adresuan Bashkimit Evropian për lëvizjen e lirë pa detyrime ekstra. Rama tha se lidërët kërkuan që karta e gjelbër digjitale e qytetarit të një vendi të rajonit të njihet në BE dhe çdo qytetar i një vendi ballkanik të lëvizë lirisht si ata të BE.

“Kemi vendosur edhe një sërë pikash ambicioze për të ndërlidhur progresin e bërë në rajonin tonë me mënyrën e funksionimit ku do të bëjmë progres. Nëse ne këtu bëjmë hapa në jetësimin e 4 lirive të BE, këto hapa të na njihen edhe në hapësirën e BE në aspektin e tregtisë, qeverisjen e të dhënave dhe mundësive nga pikëpamja e aktivitetit ekonomik. Brenda rajonit dhe me Hungarinë kemi rënë dakord për lëvizjen e lirë pa detyrim e ekstra teste. Sot të gjitha vendet i kanë paraqitur komisionerit dhe BE kërkesën që karta e gjelbër digjitale e qytetarit të një vendi të rajonit tonë në aspektin e sigurisë shëndetësore të njihet në BE dhe ne të lëvizim lirisht si ata të BE”.