Rama çel samitin e Ballkanit Perëndimor: Autorësi rajonale për zbatimin e planit ekonomik dhe tregut të përbashkët

Kryeminisitri Edi Rama ka çelur samitin e Ballkanit perëndimor ku marrin pjesë 6 udhëheqësit e rajonit dhe komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se ky samit është shenjë e vullnetit tonë për të marrë autorësi rajonale të zbatimit të planit ekonomik edhe investimeve të BE-së dhe tregut të përbashkët rajonal.

“Pjesëmarrja juaj në këtë samit të gjashtë të Ballkanit Perëndimor është shenjë e qartë e vullnetit tonë për të marrë autorësi rajonale të zbatimit të planit ekonomik edhe investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe tregut të përbashkët rajonal”.

Ai i shprehu mirënjohjen komisionerit Oliver Varhelyi që nisi dhe promovoi këtë plan që do të ndihmojë në rimëkëmbjen ekonomike të Ballkanit pas pandemisë.

“I jam mirënjohës komisionerit që nisi dhe promovoi këtë plan të madh si instrument kyç që do të na ndihmojë të rimëkëmbemi ekonomikisht në një epokë post pandemike, të punojmë mbi rezistencën ekonomike, të shkojmë drejt rritjes së qëndrueshme dhe të ndërtojmë mbi tranzicionin e gjelbër dhe digjital”.

Përpara se komisioneri Oliver Varhelyi të merrte fjalën e tij në këtë samit, kryeministri Rama i kërkoi largimin e medias; “Media të na lërë të vazhdojmë punën”.