Takimi me Kurtin në Bruksel, Vuçiç: Nuk do të jetë i lehtë, por duhet të bisedojmë

Presidenti serb, Alexandër Vuçiç, tha se raundi i ardhshëm i dialogut me Kosovën nuk do të jetë i lehtë, por sipas tij është e rëndësishme që të dyja palët të bisedojnë, për të ulur tensionet dhe për të garantuar sigurinë e serbëve në Kosovë.

Vuçiç dhe Kurti do të ulen në të njëjtën tryezë, të martën, më 15 qershor në Bruksel, siç bëri të ditur zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

Presidenti i Serbisë tha se do të udhëtojë drejt kryeqytetit belg të hënën, një ditë para nisjes së dialogut, të zhvilluar disa takime pune.

“Ata vijnë për të bërë shfaqje, ndërsa ne jemi të përkushtuar për dialog”, u shpreh ai.

Përpara konfirmimit të datës për rinisjen e dialogut, krerët e dy shteteve u përplasën në distancë për asociacionin, me Kurtin që tha se nuk mund të formohet asnjë asociacion njëetnik, ndërsa Vuçiç replikoi se Kurti nuk ka përse të shkojë në Bruksel, nëse nuk dëshiron të bisedojë për çështjen. Të enjten, Vuçiq përsëriti të njëjtin mesazh.

“Nëse mendoni të vini për gjërat për të cilat po flisni, nuk keni pse të udhëtoni”, tha ai.

 Me një marrëveshje të vitit 2013, të nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, parashikohet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë.