Tirana mirëpret liderët e rajonit në samitin e Ballkanit Perëndimor, do të drejtohet nga Rama dhe Varhelyi

5 MAJ 2021 RAMA VARHELYI frame 7211 1100x620

Kryeqyteti shqiptar do të mirëpresë sot liderët e rajonit, në samitin që do të zhvillohet për Ballkanin Perëndimor.

Drejtuesit më të lartë të Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës do të vijnë në Shqipëri në samitin i cili zhvillohet në Pallatin e Brigadave.

Samiti do të drejtohet nga kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Ky Samit është shumë i rëndësishëm pasi vjen vetëm 2 javë para vendimit të pritshëm në Bruksel për nisjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Drejtuesit e 6 shteteve të Ballkanit perëndimor Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi do të diskutojnë për projektet në rajon në kuadër të Procesit të Berlinit.

Në këtë samit pritet të firmosen marrëveshje të rëndësishme në sektorin ekonomik, si ajo e vendit tonë me Maqedoninë e Veriut për lehtësimin e kalimit të mallrave ose tregtisë në të gjitha pikat e kalimit doganor dhe veçanërisht në Qafë-Thanë. Në këtë takim, Shqipëria pritet të kërkojë nga BE njohjen reciproke të certifikatave të gjelbra të vaksinimit. Po ashtu, përshpejtimi i procedurave për uljen e tarifave roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së dhe lehtësimi i procedurave tregtare dhe të transportit me vendet kufitare anëtarë të Unionit.

Vitin e kaluar, takimi i 6 liderëve te Ballkanit Perëndimor u zhvillua online, më 10 nëntor dhe  u njoh si Samiti i Sofjes. Në këtë samit, shtetet e Ballkanit Perëndimor ranë dakord që të fuqizojnë marrëdhëniet mes tyre dhe u pajtuan që të krijojnë treg të përbashkët rajonal, si dhe të adoptojnë politikat e gjelbra.