BE lehtëson kufizimet, të vaksinuarit mund të udhëtojnë lirshëm

Vendet e Bashkimit Evropian u dakordësuan të premten për lehtësimin e kufizimeve përgjatë sezonit të verës, duke lejuar hyrjen pa teste apo karantinë për turistët e vaksinuar plotësisht, por edhe per ata që janë shëruar.

Ambasadorët e shteteve anëtare miratuan një propozim të modifikuar të Komisionit Europian, sipas të cilit, qytetarët e vaksinuar 14 ditë para udhëtimit mund të lëvizin lirshëm nga njëri vend në tjetrin. Kufizimet për udhëtarë të tjerë duhet të bazohen në nivelin e infektimit në vendin nga i cili vijnë.

Shtetet anëtare u dakordësuan që qytetarët e vaksinuar plotësisht apo ata që janë shëruar nga koronavirusi duhet të përjashtohen nga kufizimet në udhëtime. U dakordësuan gjithashtu mbi një periudhë të harmonizuar të vlefshmërisë së testeve; 72 orë për testet PCR dhe 48 orë për testet e shpejta.

Udhëzimet e rishikuara, vijnë ndërsa Bashkimi Europian prezanton certifikatat e Covid-19, të cilat do të tregojnë nëse një person është vaksinuar, ka imunitet, apo test negativ. Sistemi do të jetë gati në 1 korrik edhe pse disa vende kanë lëshuar certifikatat më herët.

Shtetet e BE-së po ashtu mund të vendosin vetë nëse nuk do të lejojnë udhëtarët që vijnë nga zonat që kanë shënuar numër të lartë të rasteve me koronavirus apo kanë raste me variantet e reja të COVID-19, të cilat janë më ngjitëse. Po ashtu, edhe turistët jashtë shteteve të BE-së, mund të hyjnë në bllok, për aq kohë sa dëshmojnë se janë të vaksinuar.