De Biasi “zbërthen” EURO 2020: Janë 4 skuadra favorite për fitoren

Gianni de Biasi mendon se Italia është një prej skuadrave favorite për të fituar Euro 2020. Në një intervistë për “Euro Toptani” në A2, ish-trajneri i Shqipërisë e futi skuadrën e vendit të tij mes pretendenteve për fitoren e madhe.

“Unë kam thënë pikërisht këto skuadra, Franca, Belgjika, Anglia dhe Italia. Sa i përket cilësisë së lojtarëve besoj që Franca dhe Belgjika janë dy skuadra të jashtëzakonshme. Edhe për Anglinë vlen kjo, por e vetmja e panjohur për Anglinë është që në momentet e rëndësishme nuk shfaq kurrë potencialin që ka. Nuk e di kush është problemi…”, tha De Biasi.

Duke folur veçanërisht për kombëtaren e drejtuar nga Roberto Mancini, ish-trajneri i komëbtares shqiptare u shpreh optimist.

“Besoj që Italia ka një skuadër të mirë, prej 2-3 vitesh po luan mirë, nuk pëson thuajse kurrë gol, diçka shumë e rëndësishme, ndërsa arrin të shënojë vazhdimisht. Besoj që Mancini ka një grup me lojtarë të rinj, dhe ndonjë ekspert, por edhe të rinjtë kanë përvojë ndërkombëtare që do të ndihmojë në rritjen e kësaj skuadre. Besoj që Italia i ka të gjitha për të shkuar deri në fund. Është e qartë që është turne shumë i fortë, mjafton të gabosh një ndeshje dhe rrezikon të dalësh. Italia ka mentalitetin, grupin e lojtarëve që luajnë mirë. Besoj se kjo është më e rëndësishmja. Besoj që Italia i ka të gjitha për të qenë protagoniste e këtij Europiani”.