Mbeturinat në Durrës, Bashkia “ngre duart”. I kërkon financime qeverisë

Situata me mbetjet urbane në qytetin e Durrësit duket se ka filluar të përmirësohet, krahasuar me një ditë më parë, kur plehrat po mbulonin edhe trotuaret në qendër të qytetit.

Mëngjesi i kësaj të premteje i ka gjetur kazanët e mbeturinave të pastruar. Por, nuk mund të themi që e njëjta situatë ishte edhe në periferi. Pamjet tregojnë që kazanët e mbeturinave urbane në periferi të Durrësit vazhdojnë të jenë të papastruar dhe mbeturinat të pahequra.

Pikërisht, situata e krijuar me mbledhjen e mbeturinave ka detyruar Këshillin Bashkiak të Durrësit që të mblidhet në një mbledhje urgjente dhe të miratojë hapa konkretë që nënkuptojnë dorëzimin e pushtetit lokal përballë situatës së krijuar dhe kërkimin e ndihmës nga qeveria për të financuar zgjidhjen e dhënë nga Këshilli Bashkiak.

Sipas Këshillit Bashkiak të Durrësit, që në skenarin e paraqitur i referohet edhe studimeve të bëra nga organizma ndërkombëtare, qeveria duhet të sigurojë financimin e transportit të mbetjeve urbane për 10 vitet e ardhshme, në mënyrë që problematika të tilla të mos përsëriten më.