“Plumb në dritare”, prokurori i Përmetit Asllan Bajrami kallëzim në polici

Prokurori i Përmetit, Asllan Bajrami, ka bërë kallëzim 3 ditë më parë në prokurorinë e Përmetit ku në dritaren e zyrës së tij që ndodhet në të njëjtën godinë me gjykatën e rrethit ka gjetur një fishek model kalibri 56. Gazetari Armand Bajrami raporton se pas kësaj ai ka bërë kallëzim në polici dhe është marrë në mbrojtje policore.

Për këtë ngjarje është vënë në dijeni edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, por nuk ka një kërkesë zyrtare për mbrojtje.

Edhe presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me ngjarjen, të cilën e ka konsideruar të rëndë dhe të dënueshme. Ai kërkon një hetim të shpejtë për këdo që kërcënon përfaqësuesit e shtetit.

“Kërcënimi për shkak dhe në krye të detyrës i Prokurorit të Përmetit, z.Asllani Bajrami, është një ngjarje tepër e rëndë dhe e dënueshme.

Nevojitet një hetim i shpejtë për vendosjen para ligjit të kujtdo, që guxon të kërcënojë përfaqësuesit e shtetit, për t’i penguar ata të ushtrojnë detyrën të pandikuar.

Revanshi i krimit kërkon masa të menjëhershme efektive, reaguese dhe parandaluese, nga të gjitha institucionet e ngarkuara me ligj për mbrojtjen e rendit dhe të sigurisë publike”, shkruan Meta.