Rritet paga mesatare, një shqiptar merr sot 2,800 lekë më shumë se në 2020

Një shqiptar paguhet sot mesatarisht 56,019 lekë, afërsisht 2,800 lekë më shumë krahasuar me një vit më parë. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se hyrja në fuqi nga 1 Janari e pagës së re minimale 30 mijë lekë, ka ndikuar në rritjen e pagave në nivel kombëtar. 

Sektorët me pagat më të ulëta, si bujqësia, ndërtimi, tregtia dhe industria kanë reflektuar në rritjen më të madhe të pagave në përqindje. Por ka qenë administrata publike ajo që ka prodhuar rritjen më të madhe në vlerë, duke bërë që një punonjës në shtet të paguhet sot mesatarisht 68,385 lekë bruto, plot 5,251 lekë më shumë se viti i kaluar.

Për një pjesë të qytetarëve, ky nivel pagash sot në Shqipëri është i kënaqshëm krahasuar me nivelin e jetesës.

Një pjesë e madhe e shohin emigrimin për të punuar jashtë vendit, si mënyrën e vetme për të pasur një pagë të mirë.

Shqipëria ka aktualisht nivelin më të ulët të pagës në Europë, me mesatarisht 2.3 euro për orë pune, kundrejt gjashtëfishit në Bashkimin Europian. Duke bërë që edhe një menaxher në Shqipëri, të paguhet më pak se një pastrues apo shitës në Europë.