Testi i matematikës, maturantët: Teza e vështirë, na penalizoi pandemia

Nuk dolën optimistë ashtu si në dy provimet e para. Matematika duket ankthi më i madh i maturantëve të këtij viti.

Shumë prej tyre e cilësuan testin të vështirë, mbi nivelin mesatar. “Ishte tmerr, disa ushtrime nuk bëheshin”, thotë njëri prej tyre, “ushtrimin 25 nuk e bëra, dhe jam i 10­-s”, thotë një tjetër, ndërkohë që pranohet se pandemia ka pasur një rol të madh në vështirësitë e krijuara.  

As testi i matematikes nuk i ka shpëtuar publikimit të tezës 34 minuta pas nisjes së provimit.  Edhe pse teza ka qarkulluar në rrjetet sociale, maturantët e kanë mësuar vetëm pasi kanë dalë nga provimi.

Mes shume të rinjve pesimistë për rezultatin e pritshëm në matematikë, nuk mungonin ekselentët të cilët presin maksimumin edhe në këtë provim, për të arritur universitetin e preferuar jashtë Shqipërisë. Tashmë për maturantët ka mbetur edhe provimi i lëndës me zgjedhje në datën 15 qershor, ndërsa ka nisur korrigjimi për dy testet e para.