Vendi ku nuk duan t’ia dinë për Gareth Bale

bale 1100x620

Përfaqësuesja e Uellsit ndodhet e grumbulluar në Baku, kryeqytetin e Azerbajxhanit, për Kampionatin Evropian të Futbollit. Aty, kjo skuadër do të luajë tre ndeshjet e saj të grupit.

Por, pavarësisht se në Baku ndodhet një yll i futbollit botëror si Gareth Bale, nuk shihen gazetarë apo fotografë që e ndjekin kudo, as tifozë që mbajnë radhë për autografë. Madje, edhe agjencitë e lajmeve uellsiane nuk kanë shumë lajme mbi seancat stërvitore të kombëtares së tyre.

Punonjësit e sigurisë nuk duket sikur kanë shumë punë, ndërsa Bale kohën e lirë e kalon në një tendë që ka vendosur federata në vendgrumbullim ose në dhomë, ku nuk i mungon asgjë.

Më në fund, ylli i Uellsit është i pashqetësuar nga pyetjet për të ardhmen e tij, që nuk dihet ende nëse do të jetë te Real Madridi apo Tottenham.

Pas shumë vitesh i “përndjekur” nga mediat në Madrid dhe Londër, sulmuesi uellsian ka gjetur paqe në një qytet ku është thjesht një i huaj më shumë. As taksistët që janë tifozë futbolli nuk kanë ndonjë emocion të madh kur flasin për të.

Në Baku, Gareth Bale është thjesht një futbollist i një përfaqësueseje modeste.