Zgjedhjet për kryetar, Komisioni publikon listën e anëtarëve të PD

Listat e anëtarëve të Partisë Demokratike u publikuan vetëm 2 ditë para zgjedhjeve, ku 75 067 anëtarë do të kenë të drejtën e votës të dielën e 13 qershorit për të vendosur kryetarin e ri të PD-së.

Procesi i votimit do të nisë në orën 8 të mëngjesit dhe do të mbyllet në orën 19:00 të 13 qershorit. Do të jenë 76 qendra votimi ku demokratët do të hedhin votën e tyre për drejtuesin e ri të partisë.

Pasi të jetë mbyllur porcesi i votimit, komisionerët kanë 30 minuta që të nisin procesin e numërimit, në të njëjtat ambiente, pa spostuar kutitë. Lulzim Basha, Edith Harxhi, Agron Shehaj dhe Fatbardh Kadilli do të kenë përfaqësuesit e tyre ne komisionet e qendrave të votimit, por gjithashtu edhe vëzhgues gjatë procesit të numërimit dhe votimit.

Pasi mbyllet procesi i numërimit kryetari i komisionit do të sjellë procesverbalin në selinë qendrore në Tiranë dhe mëngjesin e 14 qershorit komisioni zgjedhor i Partisë Demokratike pritet të shpallë emrin e kryetarit të ri të PD-së.