Mesazhi i FMN, kujdes me investimet ambicioze, të ruhet niveli i borxhit

PANO PER FMN frame 586 1100x620

Fondi Monetar Ndërkombëtar i përcolli qeverisë një këshillë në vizitën e fundit nga distanca në Shqipëri: investimet publike tepër ambicioze duhet të moderohen, për të mbrojtur shpenzimet prioritare si mbrojtja sociale, kujdesi shëndetësor, rindërtimi dhe rritja e rezervës në rast të papriturash.

Një deklaratë që nga eksperti për ekonominë Pano Soko, lexohet si një mesazh i qartë për më tepër përgjegjshmëri.

Pano Soko

“Apeli i FMN kishte këto synime, së pari rritjen e efikasitetit të borxhit, që mos të paguhen këstet me lekët e taksave. Së dyti, thonë të shikojmë ato projekte që kanë leverdishmëri, që mos të ndërpriten shpenzime si pensione ose të rriten taksat për të paguar këstet, ata duan stabilitetin financiar”, thotë Pano për A2.

FMN shton në deklaratë se një rritje e shpenzimeve mund të merret parasysh vetëm nëse nuk arrihet ritmi i pritur i rimëkëmbjes. Në të kundër, çdo e ardhur shtesë duhet të kursehet.

“Ekonomitë si Shqipëria kanë nevojë për investime, por fakti që shpenzojmë paratë pa ekonomi, atëherë thonë kursejini ato dhe shlyeni borxhin”, vijon ekonomisti.  

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, Borxhi Publik arriti në fund të tremujorit të parë, në 10.3 miliardë euro, apo rreth 75.5% të GDP-së. Borxhi u rrit gjatë vitit të kaluar për të përballuar shpenzimet e pandemisë dhe programin e rindërtimit, ndërsa parashikohet të ulet gradualisht përgjatë viteve të ardhshme, për të mbërritur nën 60% të GDP-së.