Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

“Çështja e të pagjeturve mbetet problem”, Kurti pas takimit me Vuçiç: Bëmë 4 propozime të reja

Nga A2 CNN
15 Qershor 2021, 13:13 | Kosova
“Çështja e të pagjeturve mbetet problem”, Kurti pas

Ka përfunduar në Bruksel takimi i kryeministri të Kosovës, Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, i ndërmjetësuar nga zyrtarët e lartë të BE-së, Borrell dhe Lajçak.

Në një konferencë për shtyp, pas takimit, kreu i qeverisë së Kosovës, u shpreh se pala serbe erdhi në këtë takim me projekte të vjetra, ndërkohë që pala kosovare bëri 4 propozime të reja, mes të cilave ishte dhe nënshkrimi i një deklarate se dy vendet nuk do ta sulmojnë njëri-tjetrin.

Albin Kurti gjithashtu shtoi se një ndër problematikat që nuk mund të anashkalohet është çështja e të pagjeturve, për të cilët ai tha se shumë zyrtarë aktualë në qeverinë serbe kanë informacione për varreza masive.

“Sot u zhvillua takimi i parë. Isha bashkë me zëvendësin Besim Bislimi që është përgjegjës për integrimin. Kjo u bë me ndërmjetësimin e zotërinjve Borrell dhe Lajçak. Takimi ishte konstruktiv. Ne do të marrim pjesë në këtë proces. Në një kohë që pala tjetër fliste për projekte të vjetra, ne dhamë 4 propozime të reja. Propozimi i parë ishte që të avancojmë marrëveshjen Cefta në marrëveshje Sefta. Propozimi i dytë ishte që një ditë pas samitit të NATO-s, Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë një deklaratë të paqes, ku zotohemi si shtete që nuk do ta sulmojmë njëri-tjetrin. Dhe në këtë mënyrë kontribuojmë në paqen dhe sigurinë në rajon. Propozimi ynë tjetër ishte që te çështja e të pagjeturve duhet të largohet nga delegacioni serb Velko Dallevic dhe Zoran Allenkoviç. Propozimi ynë i katërt është për sa i përket pakicave që të zbatohet reciprociteti bilateral. Tri propozimet tona të fundit u refuzuan, ndërsa për Sefta nuk dhanë përgjigje. Takimi i radhës do të jetë përpara datës 25 korrik. Jemi të gatshëm për proces, por nuk ka dakordësi për sa i përket agjendës së takimit të ardhshëm. Nëse ka një gjë që nuk pret është çështja e të pagjeturve. Koha nuk mund t’i zbusë plagët për të zhdukurit me dhunë. Fatkeqësisht njerëzit e asaj kohe mbajnë ende pozita të larta zgjedhore”, tha Kurti.

https://www.facebook.com/A2CNN/videos/527544521754215

Gjithashtu, kreu i qeverisë së Kosovës shprehu gatishmërinë për të vijuar dialogun deri në arritjen e njohjes së ndërsjellë mes dy vendeve, gjë që është kërkuar dhe nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

“Nuk jam pesimist, po i trajtojmë gjërat në thelbin e tyre. Presidenti Biden ka kërkuar njohje të ndërsjellë. Në këtë takim u ruajt distanca fizike dhe mund të them që për bindjen time nuk kishte befasi. Unë prezantoj interesat e Kosovës dhe përpiqem që procesi të ketë parime. Nuk mund të pyesim shqiptarët për varrezat masive, kur ka shumë serbë që i dinë këto informacione. Këta persona që kanë pushtet në atë kohë të hiqen nga pozitat që kanë në Serbi dhe të merren në pyetje për këto çështje. Kosova dhe Serbia nuk mund të integrohen në BE pa njohje. Sa më shpejt të realizohet kjo gjë, aq më mirë. Do të ishte mirë që kjo marrëveshje të arrihej brenda mandatit të Biden dhe Borrell. Kemi nisur përgatitjet e para për padinë për gjenocid ndaj Serbisë, mirëpo kur e përmendim këtë gjë iu bëjmë thirrje dhe institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve që ta ndihmojnë. Ka punë kjo padi. Meqë ka ndodhur gjenocidi duhet dokumentuar”, përfundoi Kurti.

A2 CNN Livestream

Dita jonë