Biden: Do të ngremë zërin gjithmonë për raste si të Navalnyt sepse kështu jemi gatuar

Biden: Do të ngremë zërin gjithmonë për raste si të Navalnyt sepse kështu jemi gatuar
Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi në një konferencë për shtyp pas takimit me homologun rus, Vladimir Putin, në Gjenevë të Zvicrës, se agjenda e tij “nuk është kundër Rusisë, por për popullin amerikan”.
Gjithashtu, Biden theksoi se i ka bërë të qartë Putinit se do të mbrojë “vlerat demokratike, pasi është në ADN-në e vendit tim”.
“Si mund të jem President i Amerikës dhe mos të flas për dhunimin e të drejtave të njeriut? Prandaj do të ngremë zërin për raste si të Alexey Navalnit sepse këta jemi ne. E ngrita çështjen edhe të dy amerikanëve të burgosur gabimisht. I thashë Putinit që duhet të vendosim disa rregulla bazike që t’i ndjekim në lidhje me të drejtat e njeriut”, u shpreh Biden.
Një orë më herët, në konferencën e tij për shtyp, Vladimir Putin nuk pranoi kritikat për mosrespektim të të drejtave të njeriut, duke thënë se në SHBA po vriten njerëz çdo ditë: “Mendoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të japin shumë përgjigje kur vjen puna te të drejtat e njeriut, sidomos nëse marrim si shembull Guantanamon. Gjithashtu, po vriten njerëz çdo ditë me armë zjarri në SHBA. Çfarë është kjo? Nuk është dhunim i të drejtës së njeriut?”
Putin kujtoi edhe protestat në Kongresin amerikan, ku mbeti e vrarë një protestuese dhe u ndaluan qindra persona: “400 njerëz me bindjen të caktuara politike po hetohen, pasi shkuan për të protestuar në Kongres. Dhjetëra prej tyre janë ende të arrestuar, nuk dihet mbi çfarë akuzash. Një protestuese u vra aty, pa qenë e dhunshme. Dua të them që shumë vende janë në të njëjtën situatë, ne e kuptojmë SHBA-në dhe prandaj nuk duam që të tilla gjëra të ndodhin edhe në Rusi”.