“Analiza e zgjedhjeve”, PD mbledh kryesinë, pas një muaji edhe Kuvendin Kombëtar

Demokratët rikthehen në kryesi paraditen e së premtes. Menjëherë pas rikonfirmimit të Lulzim Bashës si kryetar, forca kryesore e opozitës do të përfshihet në një proces analize të zgjedhjeve të 25 prillit, ndërsa pritet certifikimi i rezultatit nga KQZ, pas përmbylljes së procesit të ankimimit.

Shkresa njoftuese e sekretarit të përgjithsëm Gazment Bardhi, erdhi një ditë pasi Lulzim Basha në mesazhin e tij të rikonfirmimit pohoi se gara për kryetar do të pasohej nga të tjera zhvillime në PD.

Nga mbledhja e kryesisë pritet miratimi i metodologjisë së analizës. Më shumë se analiza e arsyeve të brendshme që mund të kenë ndikuar në mbajtjen e demokratëve në opozitë, në njoftim fryma që i jepet këtij procesi është mbajtja përgjegjëse e mazhorancës për atë që demokratët e cilësuan masakër elektorale.

Të nderuar anëtarë të Kryesisë, ditën e premte, datë 18 qershor 2021, ora 11:00, do të zhvillohet mbledhja e Kryesisë së Partisë, me këtë Rend Dite: 1. Miratimi i metodologjisë së analizës në nivel Qarku, Dege, Grupseksioni dhe Seksione për masakrën zgjedhore të 25 prillit’’, tha Gazmend Bardhi, sekretar i Përgjithshëm.

Procesi i analizës do të marrë një muaj kohë ndërsa më 17 korrik njoftohet edhe zhvillimi i Kuvendit Kombëtar, rendin e ditës së të cilit do ta miratojë kryesia e së premtes. Mësohet se do të jetë mbledhja e kryesisë që do vlerësojë nëse ka nevojë për ndryshime statutore dhe nëse organet e tjera të partisë do kalojnë apo jo në zgjedhje.