Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Ekzekutimi i vëllezërve Haxhia, “çarku” i SPAK “kap” dy të tjerë. Covid u prishi planin e vrasjes

Nga A2 CNN
17 Qershor 2021, 10:10 | Kronikë
Ekzekutimi i vëllezërve Haxhia, “çarku” i SPAK

Hetimi i SPAK mbi grupin kriminal të dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia, prillin e vitit të kaluar në Durrës, çoi në pranga edhe dy persona të tjerë. Besian Xhixha, 30 vjeç nga Larushku i Krujës dhe Enver Diva, 40 vjeç, nga Fushë-Mamurrasi, u arrestuan nga Policia e Durrësit dhe forcat RENEA, në operacionin e koduar “Vazhdimi”.

Më herët, për të njëjtën ngjarje, janë arrestuar Klevis Alla, i penduar i drejtësisë dhe Altin Ndoci, ndërsa janë të shpallur në kërkim Talo Çela dhe Nuredin Dumani. Xhixha dhe Diva akuzohen për “sigurim të kushteve për të kryer vrasje” dhe “mashtrim”.  

SPAK ra në gjyrmët e tyre, pas dëshmisë së të penduarit Klevis Alla. Ai i tha prokurorëve se ata ishin porositur nga Talo Çela për ekzekutimin e vëllezërve Haxhia. Për disa ditë me radhë, ata kishin vëzhguar lëvizjet e vëllezërve dhe planifikuar krimin. Por, pak ditë para se të kryenin vrasjen, ata janë tërhequr, pasi Enver Diva është infektuar me Covid-19 dhe për këtë shkak ishte karantinuar.

Sipas të penduarit, për këtë fakt Xhixha e Diva kishin debatuar ashpër me Nuredin Dumanin. Në këtë situatë, sipas deklarimeve të Kevis Allës, ekzekutimi i vëllezërve është kryer nga të akuzuarit e tjerë dhe se shenjestër ishte vetëm Besmir Haxhia.

Sipas SPAK, ngjarja e 27 prillit tek tregu i makinave në Durrës kishte si motiv një përplasje mes Talo Çelës dhe Besmir Haxhisë, për humbjen e disa parave të vjedhura në grabitjen e Rinasit. 

https://a2news.com/2020/05/01/vrasja-e-dy-vellezerve-ne-durres-arrestohen-dy-persona/

A2 CNN Livestream

Dita jonë