Kapen 300 kg kokainë në portin e Durrësit, arrestohet shoferi i kamionit

Brendia e këtyre pakove të mbuluara me stampa markash të njohura është kokainë. Plot 300 kilogramë e saj u bllokua këtë të premte nga Policia e Kufitare dhe ajo Kriminale në Portin e Durrësit.

Droga ishte fshehur në trupin e një kamioni që ishte futur në vend nga Maqedonia e Veriut dhe po bëhej gati të udhëtonte me traget drejt Italisë. Policia arrestoi drejtuesin e kamionit, Nazif Ajrovski, 40 vjeç.

Në deklarimin e parë para oficerëve të policisë, ai tha se nuk kishte dijeni për drogën. Duke iu referuar dokumenteve të shoqërimit, ai ka pohuar se në kamion po transportonte materiale ndërtimi.

A2 mësoi se droga është gjetur në kushtet e flagrancës, e konstatuar në vijën e dytë të kontrollit dhe se për të nuk kishte ndonjë hetim nga Prokuroria e Posaçme, SPAK. Sipas të dhënave paraprake, kamioni i drogës ishte nisur nga Belgjika dhe më tej kishte kaluar tranzit në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe me destinacion mbërritjeje Italinë.

Në tre vitet e fundit, sasia e drogës e bllokuar në Portin e Durrësit është gati 1,2 ton. Sasitë më të mëdha të bllokuara janë 613 kg kokainë kolumbiane në kontenier bananesh, në shkurt të vitit 2018, dhe dy sasi me nga 143 dhe 49 kg kokainë të bllokuara në prill 2021.

Në maj të vitit 2021, në Portin e Durrësit kaloi edhe sasia prej 400 kg kokainë e ardhur nga Brazili, e cila u mbajt në mbikqyrje dhe u ndalua nga policia në Lipjan të Kosovës.