Akuzohen si të përfshirë në vrasjen e dy vëllezërve, Besian Xhixha dhe Enver Diva lihen në burg nga Gjykata e Posaçme

Përditësuar më: 19/6/2021, ora 14:06
Akuzohen si te perfshire ne vrasjen e dy vellezerve Besian Xhixha dhe Enver Diva lihen ne burg nga 1024x576

Akuzohen si të përfshirë në vrasjen e dy vëllezërve, Besian Xhixha dhe Enver Diva lihen në burg nga Gjykata e Posaçme

Përditësuar më: 19/6/2021, ora 14:06

Gjykata e Posaçme le të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Besian Xhixhën dhe Enver Divën, të akuzuar si të përfshirë në vrasjen e dy vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia, prillin e vitit të kaluar në Durrës.

Besian Xhixha, 30 vjeç nga Larushku i Krujës dhe Enver Diva, 40 vjeç, nga Fushë-Mamurrasi, u arrestuan dy ditë më parë nga Policia e Durrësit dhe forcat RENEA, në operacionin e koduar “Vazhdimi”.

Më herët, për të njëjtën ngjarje, janë arrestuar Klevis Alla, i penduar i drejtësisë dhe Altin Ndoci, ndërsa janë të shpallur në kërkim Talo Çela dhe Nuredin Dumani. Xhixha dhe Diva akuzohen për “sigurim të kushteve për të kryer vrasje” dhe “mashtrim”. 

SPAK ra në gjurmët e tyre, pas dëshmisë së të penduarit Klevis Alla. Ai i tha prokurorëve se ata ishin porositur nga Talo Çela për ekzekutimin e vëllezërve Haxhia. Për disa ditë me radhë, ata kishin vëzhguar lëvizjet e vëllezërve dhe planifikuar krimin. Por, pak ditë para se të kryenin vrasjen, ata janë tërhequr, pasi Enver Diva është infektuar me Covid-19 dhe për këtë shkak ishte karantinuar.

Sipas të penduarit, për këtë fakt Xhixha e Diva kishin debatuar ashpër me Nuredin Dumanin. Në këtë situatë, sipas deklarimeve të Kevis Allës, ekzekutimi i vëllezërve është kryer nga të akuzuarit e tjerë dhe se shenjestër ishte vetëm Besmir Haxhia.

Sipas SPAK, ngjarja e 27 prillit tek tregu i makinave në Durrës kishte si motiv një përplasje mes Talo Çelës dhe Besmir Haxhisë, për humbjen e disa parave të vjedhura në grabitjen e Rinasit.