Dyshohet se pushoi një akuzë për plagosje në këmbim të ryshfetit, SPAK arreston prokurorin e Sarandës dhe 5 të tjerë

Përditësuar më: 19/6/2021, ora 11:45

Dyshohet se pushoi një akuzë për plagosje në këmbim të ryshfetit, SPAK arreston prokurorin e Sarandës dhe 5 të tjerë

Përditësuar më: 19/6/2021, ora 11:45

Me vendim të Gjykatës së Posaçme, policia ka arrestuar prokurorin e Sarandës, Sali Hasa, i cili akuzohet për veprën penale të korrupsionit pasiv. Në pranga ka përfunduar edhe oficeri i Policisë Gjyqësore Napolon Hodaj, i akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Shkak për arrestimin e prokurorit është bërë dyshimi se ka pushuar akuzën e plagosjes për Emiljano Miranin, pasi ka marrë ryshfet nga motra e tij, Elsona Papa. Ndërsa për oficerin e Policisë Gjyqësore, Napolon Hodaj, dyshohet se në bashkëpunim me ish- ekspertin mjeko-ligjor, Hysen Korenica kanë mundësuar shpëtimin nga akuzat të një personi të akuzuar për “vjedhje me dhunë” dhe “plagosje”.

Së bashku me këta zyrtarë, janë vënë në pranga edhe katër persona të tjerë mes të cilëve një arbitër i ndeshjeve sportive si dhe një zyrtar i klubit sportiv të Përmetit, të akuzuar për paracaktim të rezultateve sportive si dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Qerim Ruci dhe Bledar Hajredini dyshohet se kanë paracaktuar rezultatin për ndeshjen Slenica-Permeti. Gjithashtu janë nën hetim në gjende të lirë edhe një ekspert mjeko-ligjor si dhe një shtetase.

Çështjet janë të pavarura nga njëra-tjetra, por janë zbuluar nga përgjimet e hetimit të parë. Personat e lartpërmendur janë arrestuar në kuadër të një hetimi të nisur në vitin 2020 për  veprat penale të “trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.