Grupi “për PD”: Basha kërkon të shkarkojë përgjegjësinë e humbjes

Analizën e performancës që strukturat e demokratëve duhet të bëjnë për zgjedhjet e 25 Prillit, “grupi për PD” e sheh si një mënyrë që kryetari i rikonfirmuar në detyrë, Lulzim  Basha, të shkarkojë përgjegjësinë e humbjes tek anëtarët e thjeshtë të PD.

Pesë ditë pas vendimit të kryesisë së demokratëve, ky grupim i kërkoi Bashës të ndajë mendjen nëse zgjedhjet i humbi apo ja vodhën.

 “Analiza për realizimin e objektivave të vendosur për zgjedhjet e 25 prillit 2021 është në kundërshtim të hapur me deklaratat për masakër zgjedhore. Zoti Basha duhet të ndajë mendjen, ose zgjedhjet janë vjedhur ose nuk janë arritur objektivat nga strukturat e Partisë Demokratike dhe deputetet e listës. Në të kundërt ai duhet të pranojë siç është e udhës përgjegjësitë e tij për këtë humbje”, thuhet në deklaratën e tyre.   

Vendimi për rizgjedhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ndërkohë që ende nuk I ka mbaruar mandati4-vjecar, sipas grupit për PD, është antistatutor. Deklarata flet për spastrime në parti.

“Mungesa e transparencës në vendimmarrje dhe vendimet e pabazuara në statut vazhdojnë të jenë problem kryesor i lidershipit të Partisë Demokratike që menjëherë pas përfundimit të ngjarjes së 13 qershorit 2021 dhe rikonfirmimit të Kryetarit të Partisë pa garë dhe duke hequr nga listat mijëra demokratë, kërkon të bëjë fushatën e fundit të spastrimeve në Parti. Ndërprerja e mandatit të Këshillit Kombëtar është i paligjshëm dhe duhet hequr nga rendi i ditës së mbledhjes së Kuvendit Kombëtar”, thuhet aty.  

Në reagimin e vet grupi për PD nënvizon do të vijojë të kërkojë afrimin e të gjitha kontributeve dhe bashkimin e Partisë deri në ardhjen sa më parë në pushtet.