Regjistrimi në klasat e para në Kukës, prindërit hasin vështirësi me portalin e-albania

Për herë të parë, regjistrimi në shkolla për klasat e para po bëhet online përmes portalit e-albania. Por prindërit në qytetin e Kukësit po hasin vështirësi për regjistrimin e fëmijëve përmes portalit. Ata janë  të detyruar që t’iu drejtohen shkollave për të marrë informacione se si duhet të veprojnë.

Mësuesit e klasave të para thonë se procesi po shkon mirë, por ka prindër që kanë vështirësi sa me regjistrimin në portalin e-albania, aq edhe me mungesën e internetit apo të pajisjeve.

Ky proces ka nisur që nga data 15 qershor dhe sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit do të vijojnë aplikimet deri më 30 qershor të këtij viti. Aplikimi në mënyrë elektronike shmang regjistrimin e fëmijëve në shkollat preferenciale që nuk i përkasin zonës së banimit.