Akuzohej për kokainë, prifti djeg me acid në Athinë 7 peshkopët e rëndësishëm

Përditësuar më: 25/6/2021, ora 09:38

Akuzohej për kokainë, prifti djeg me acid në Athinë 7 peshkopët e rëndësishëm

Përditësuar më: 25/6/2021, ora 09:38

Opinioni publik grek u trondit sot nga një lajm i pazakontë, por edhe dramatik, i ndodhur në manastirin Petraki të Athinës.

Shtatë peshkopë ortodoksë dhe tre persona të tjerë janë plagosur nga një sulm me acid të nisur nga një prift 37-vjeçar, i identifikuar si Theofylaktos Komvos.

Prifti ndodhej në manastirin e kryeqytetit grek sepse pikërisht peshkopët po vendosnin mbi mundësinë e shkarkimit të tij nga statusi religjioz, si pasojë e një skandali të ndodhur në vitin 2018. Në atë kohë, priftit iu gjetën nën zhgunin e tij rreth 2 gramë kokainë.

Sipas dëshmitarëve të terrorizuar, prifti kishte sjellë në “gjyq” edhe një shishe dylitërshe, që mendonin se ishte ujë, nga temperaturat e larta në vend. Por në një moment, Komvos filloi të hidhte substancën në shishe drejt peshkopëve, sikur të ishte ujë i bekuar, ndërkohë që salla pas pak sekondash u shndërrua në një skenë horrori.

Fytyrat e peshkopëve filluan të gjakoseshin, ashtu si dhe trupi i vetë avokatit të priftit dhe të një polici që ndodhej aty, si dhe të një prifti tjetër.

Ngjarja ka marrë jehonë të madhe. Presidentja greke Katerina Sakellaropoulou ka shprehur tronditjen  e saj për një ngjarje të paprecedent, pas bisedës me kreun e Kishës Ortodokse, Ieronymos II.

Peshkopët e lënduar janë pjesë e rëndësishme e kishës, pasi bëhet fjalë për Antonios i Glifadës, Kyrillos i Kifissias, Kallinikos i Artës, Nikodimos i Kassandrës, Dionysios IV i Zakynthos, Dimitrios i Gumenicës, Andrea i Dropullit.