Ekspeditë në Veri, polakët e “National Geographic” mahniten në Kukës

Kanë udhëtuar nga Polonia për në Kukës dhe është udhëtimi i parë në Shqipëri por që u ka pëlqyer shumë.

Dy fotoreporter të “National Geographic”, Tomasz Tomaszewski dhe Bernard Kwapinski, janë impresionuar nga bukuritë e rralla që ofron Kukësi. Tomas e Bernard, prej tre ditësh kanë eksploruar Kukësin duke u ndalur kryesisht tek veçoritë e objekteve nga sistemi i kaluar.

Bunkerët janë ato qe u kane bërë më shumë përshtypje. Ata kanë udhëtuar në disa zona të Kukësit, duke u njohur me këto objekte e vendstrehime, si në Gjegjan, Shishtavec, Gostil etj. Por, fotoreporterët polak në fokus të udhëtimit të tyre kishin edhe kulturën, traditën, kostumografinë, natyrën e mrekullueshme të bjeshkëve dhe besën e shqiptarëve.

Tomasz Tomaszewski dhe Bernard Kwapinski

Ekspedita e tyre do të përmblidhet në një botim të veçantë. Kukësi me bukuritë natyrore që e rrethojnë dhe monumentet e kulturës është kthyer në një destinacion turistik si në dimër edhe në verë. Të shumtë janë turistët vendas e të huaj, të pasionuar pas ngjitjeve në mal, që kanë shijuar vitet e fundit bukuritë e bjeshkëve.