Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Vunoi, fshati që thërret historinë

Nga A2 CNN
25 Qershor 2021, 16:04 | Sociale
Vunoi, fshati që thërret historinë

Nëse themi se jemi nisur drejt jugut, mendja na shkon menjëherë në kaltërsinë e detit Jon. Por, fshatrat, banesat, rrugicat, kishat e veprat monumentale, thërrasin jo pak. Prej guri dhe stoike, ato na presin sa herë kemi në plan që ditët e nxehta ti kalojmë duke u kredhur në ujërat fantastikë, të Dhërmiut, Palasës apo Jalës. Këto janë tri plazhet më të njohura, më të frekuentuara, e ndoshta më të shtrenjtat përgjatë jugut të vendit tonë, ndaj edhe A2 është nisur drejt këtyre brigjeve, por jo vetëm për nuancat e shumta të blusë së ujërave që të ftojnë t’i prekësh, ndonëse ato na shoqërojnë në çdo hap. Sepse në çdo hap që hedh në Vuno, mund ta gjesh detin Jon.  

Fshati Vuno është një vendbanim i hershëm, pasi këtë e vërtetojnë disa fortifikime paraurbane që arkeologët i kanë gjetur në afërsi të fshatit apo edhe qeramika që i përkasin preriudhës së bronzit, shekujve VII e VI para krishtit. Por, dokumentet më të vjetra për këtë vendbanim mendohet të jenë ato të vitit 1551, që nga arkivat osmane dokumentohet se fshati kishte 84 shtëpi.

Si banesat po ashtu edhe kishat apo kalldrëmi thuajse kanë ruajtur  identitetin që padiskutim mbetet ende një nga shembujt tipikë të arkitekturës së shekullit XVIII. Letrat më të njohura për këtë vend janë ato të Ali Pashë Tepelenës, që si pasha i Janinës i këshillonte të huajt të vizitonin këto anë. Për gjithë mikpritjen që Pashai do t‘i siguronte këtyre vizitorëve të rëndësishëm, Ali Pasha mbante korresponcendë me banorët e fshatit. Shtëpitë e fisit Kasneci, konsideroheshin si më të përshtatshmet për të pritur artistët. Lord Bajroni u ndal këtu dhe u mahnit. Po, njëlloj edhe Eduard Lear, piktori dhe shkrimtari që shkroi e pikturoi gjatë për këtë vend, vepra që sot ruhen në Universitetin e Harvardit. 

“U surprizova prej ndërtesave në Vuno, si ajo e Kasnecëve që vizitova. Të japin ndjesinë e pallateve veneciane si dhe ndërtesave të tjera të ngjashme në zonat rurale në Itali. Ato i njohin si palatine. Banorët këtu përdorin gjuhën italiane me shumë se të tjerët në Shqipëri. Në çdo fshat të këtij rajoni që kam përshkruar, vura re që, përvec faktit që janë të fesë ortodokse, ata janë të gjithë shqiptarë, me pak përjashtime. Ata i hapin dyert për këdo dhe janë shumë mikpritës”, shprehet Eduard Lear, për shtëpitë e Vunoit.

Banorët e Vunoit u dalluan shpejt për mikpritjen, një nga shumë karakteristika që ende nuk e kanë humbur. Kryeplaku i fshatit është gati të presë këdo që do ta njohë fshatin. Na fton në ballkonin e Vunoit, sepse aty do të mbajë një fjalim. Kemi mbërritur në Vuno në një ditë të veçantë, sepse banorët përkujtojnë 77 vjetorin e djegjes së fshatit, por që bahskë me heronjtë, ata sot nderojnë edhe historinë.

Kryeplaku i fshatit Vuno Alqi Andoni jeton këtu prej vitesh dhe pret e përcjell të gjithë ata që duan të kalojnë aty jo vetëm për një fotografi në Instagram, por edhe për ta njohur pak më mirë këtë vend.

Vunoi mund të quhet gjithashtu edhe një fshat qytet për nga mënyra se si jeta dhe banorët aty kanë kontribuuar në vend. Barinjtë dhe intelektualët kanë bashkëjetuar ndër shekuj në shtëpitë e vjetra prej guri që qëndrojnë mbi det. Edhe ata pak njerëz që i kanë mbetur këtij vendi zotohen se do taruajnë ashtu si ia lanë të parët, me identitetin që ky vend trashëgon prej shekujsh.

Kafeneja që njihet për mengjesin panoranik e që pret të gjithë të rinjtë të nisin një ditë plazhi, është edhe ballkoni që ndan njëlloj si rruga pjesën e sipërme të fshatit Vuno, me atë anë tjetër që ndodhet më pranë detit. Ndonëse plazhi I këtij fshati është Jala, jemi kuriozë të zbulojmë përtej bimësisë dhe stilit të ndërtesave aty, ku shkohet drejt detit. Kisha e Shën Marisë së Mesodhit e ndërtuar në vitin 1783 dhe ajo e Shën Spiridhonit janë vetëm disa nga ato që mund të vizitoni. Në lagjen e poshtme këto kisha të vogla që e ndajnë altarin me ikonostase, por të ndërtuara me gur, të tregojnë sa përkujdesje i kushtonin besimit edhe përmes arkitekturës.

Gjatë shëtitjes në Vuno, bimësia dhe rrugicat plot ajër e hije në verë, të ftojnë gjithnjë të zbulosh. Gjen madje edhe kulla, që jemi mësuar t’i gjejmë veri. Kulla e Shane Kokes është një prej tyre. Kulla e Odhise Kasnecit po ashtu i ka rrënojat. Kulla e Voglit lexojmë diku më tutje dhe duket se është e vetmja që gjejmë në këmbë si ndërtesë.

Gurët e përdorur për ndërtim janë të përmasave mesatare thuajse në sinkron me gurët e kalldrëmit që gjejmë sot. Me linja të pastra, pa harqe e nënkalime që gjejmë shpesh në këto anë, kjo ndërtesë na fton të zbulojmë edhe më shumë, cka me siguri do të na bëjë të rikthehemi në Vuno, ndonjë nga ditët që nxitojmë drejt ngjyrave të Jalës apo Gjipes, dy gjiret bregdetare që lidhen me këtë fshat magjik, që s’ia dogjën dot historinë.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani