“Gjunjëzimi para krimit”, PD: Regjimi Rama-Doshi nuk mban përgjegjësi

Ministrin e Brendshëm Blendi Çuçi demokratët e quajtën zëdhënës të regjimit Rama-Doshi, teksa deklaratën e tij për situatën  e krimit në vend, e cilësuan si papërgjegjmëri nga ana e shtetit. 

“E dëgjuam zëdhënësin e regjimit Rama-Doshi teksa lante duart me kapitullimin e rendit dhe sigurisë në vend. Për zëdhënësin e regjimit në ministrinë e brendshme, fajin e kanë shqiptarët, fajin e kanë viktimat, fajin e kanë familjet shqiptare që jetojnë në ankthin e breshërisë së radhës apo përgjakjes së radhës, por kurrsesi ata që të vetmen strategji kanë “hëngshin kokat e njëri-tjetrit”. Fatkeqësisht, përveç gjunjëzimit para krimit, ata nuk kanë çfarë t’ju ofrojnë shqiptarëve”.

Sipas Enkelejd Alibeaj, bashkëpunimi me krimin është e vetmja mënyrë që mazhoranca të mbajë pushtetin.

“Modeli që kanë ndërtuar ndër vite është ai i kriminalizimit të institucioneve dhe të politikës për të marrë dhe për të mbajtur pushtetin me çdo çmim. Me krimin dhe për krimin. Faturën e këtij bashkëpunimi të pështirë midis politikës dhe krimit, po e paguajnë familjet shqiptare, sepse një pushtet i marrë me krimin, nuk vret vetëm demokracinë, por vret të pafajshëm në çdo cep të Shqipërisë”.

Pasiguria do të mbizotërojë në çdo qytet, parashikojnë demokratët, nëse nuk do të zhbëhet aleanca mes pushtetit dhe krimit.