Drejtësia e re, si shmanget kolapsi?

1 KORRIK 4 ABSOLUT P2 CLEAN frame 301 1100x620

“Të pushojmë së shtiruri, të çojmë përpara reformën në drejtësi”, Ibrahimi: Fjalët e ambasadores janë nxjerrë nga konteksti

“SHBA ka qenë aktor dhe vijon të mbetet një aktor që ndihmon fort në reformën në drejtësi dhe është e drejtë që fjalët e saj të marrin atë që i takon, por fjalët e saj; ‘të pushojmë së shtiruri’ janë nxjerrë nga konteksti, se duket sikur ajo që është bërë deri tani duket sikur jemi shtirur”. Këtë përgjigje dha kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi në studion e “Absolut 4”, kur u pyet në lidhje me deklaratën e ambasadores amerikane Yuri Kim. Ai tha se ambasadorja është mbështetësja më e madhe e reformës në drejtësi dhe fjalët e saj ishin një ftesë për të vijuar me rezultatet e kësaj reforme.

“Në fakt nuk është kështu sepse ambasadorja është fanse e reformës. Kjo fjali duket si hiperkritike, por fryma e takimit nuk ishte kështu. Ajo ishte një ftesë për të shkuar më tej me rezultatet e reformës ku gjyqtarët e prokurorët japin shërbimet e tyre për shoqërinë. Sot ke një sistem dy krerësh që qeveri prokurorinë që është KLP dhe Prokurori i Përgjithshëm”. (për më shumë)

Krasniqi: Ndërkombëtarët nuk duhet të shtiren në raport me reformën në drejtësi. Të gjithë duhet të shkunden

Analisti Afrim Krasniqi u bëri apel ndërkombëtarëve që të mos shtiren në raport me reformën në drejtësi, pasi qytetarët shqiptarë nuk mund të presin pafund për çështje që janë jetike. Nga studio e “Absolut 4” ai tha se reforma në drejtësi si një eksperiment ndërkombëtar nuk mund të dështojë.

“Reforma në drejtësi është eksperiment ndërkombëtar dhe nuk lejohet të dështojë dhe nëse perëndimi dështon me reformën në drejtësi dështon nuk është një projekt, por premtimi shumë i madh që mund të përdoret në vende të tjera si model i ngjashëm. Ne kishim një pallat drejtësie të kalbur, korruptuar, të paaftë që u vendose të shembet dhe sot po mbushet me banorë dhe kemi harruar që banorët do jenë të njëjtë për shkak të kapaciteteve dhe keqpërdorimit publik që kemi bërë. Qytetarëve iu është thënë shumë shpejt. Strukturës së vetingut i mbaron mandati vitin e ardhshëm. Qytetari që na ndjek dhe ka hall, e ka të vështirë të presë pafund, sidomos ata që kanë çështje jetike, pronash që japin efekt familjar e financiar, deri sa të vijë dita e drejtësisë. Problem i madh është që nuk kemi rrugë tjetër. Edhe unë mendoj që edhe ndërkombëtarët nuk duhet të shtiren në raport me reformën në drejtësi. Të gjithë duhet të shkunden”. (për më shumë)

Ibrahimi: Depolitizimi i sistemit të drejtësisë nuk është më sfidë, problem mbetet efiçenca

Përkundër deklaratave të Afrim Krasniqit se lista e problemeve në sistemin e drejtësisë është e njëjtë me atë të para 5 viteve, kreu i KLP-së Gent Ibrahimi veçoi depolitizimin. Sipas tij në këtë aspekt është arritur një rezultat i jashtëzakonshëm, pasi sot nuk është më një sfidë e madhe.

“Do të veçoja politizimin e mënyrës së qeverisës së sistemit të drejtësisë. Violinë e parë dhe e fundit ka qenë parlamenti. Depolitizimi është i rëndësishëm që politikanët të mos tërheqin fijet dhe të vendosin fatet dhe sa i takon kësaj kemi rezultat të jashtëzakonshëm. Shikoni mënyrën e përzgjedhjes të njerëzve si unë ,filtrat që kaluan. Kjo tregon sesa i plotë sistemi ligjor që edhe në rastet kur sabotohet. Politika nuk pranoi të ushtronte detyrat që i jepte kushtetuta në përzgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të anëtarë të KLGJ e KLP, dhe ligji e ka parashikuar që t’i zgjidhësh me short. Që të zgjidhesh me short është fatkeqësi ky duhet të jetë një njeri i stërzgjdhur dhe sprovuar. Kjo ka efektet e saj, por depolitizimi ishte një sfidë dhe nuk është më sot”. (për më shumë)

Ibrahimi: Niveli i lartë i largimeve, i paparashikuar. Gjendja në prokurori dhe gjykata bie ndesh me qëllimet origjinale të reformës

Në studion e “Absolut 4”Ibrahimi tregoi edhe vështirësitë e reformës në drejtësi dhe projeksionet për nivelin e largimeve dhe përvojat ku u bazua ky eksperiment. Ai thotë se interpretimi zyrtar është i  ndryshëm nga interpretimit teknik, çka solli edhe këtë masë largimesh nga sistemi.

“Vështirësitë janë të jashtëzakonshme. Kur nisi reforma në drejtësi pjesë e atij dokumenti ishte dhe një projeksion i nivelit të largimeve që do shkaktonte vetingu. Ishte në masë 25-30%, ishin 3 eksperienca që sugjeronin këtë nivel largimesh . Në Ukrainë, në Kosovë dhe Serbi është bërë një eksperiment i tillë dhe ne me një farë besimi mendonim që në këtë nivel do të ishim dhe ne. Ne në atë kohë lidhur me informalitetin e shoqërisë shqiptare futëm një dispozitë në kushtetutë që në rast se në veting një gjyqtar e prokuror rezultonte me dyfishin e pasurisë që mund të justifikonte ai do të duhej të mbetej në sistem duke i dhënë benefitin e dyshimit të të jetuarit në një sistem me shkallë të lartë informaliteti dhe kjo dispozitë ishte supozuar të garantonte këtë rezultat 25-30% largime.  Fakti që interpretimi zyrtar është i ndryshëm dhe ky është interpretimi që bëra tani është akademik në nivel teknik ky ishte kuptimi”. (për më shumë)

Ibrahimi tregon 3 propozimet që shmangin kolapsin në sistemin e drejtësisë

Kreu i KLP-së Gent Ibrahimi pranoi në studion e “Absolut 4” se largimet e paparashikuara të magjistratëve nga sistemi për shkak të vetingut i ka gjetur të papërgatitur, por përjashton kolapsin në sistem, pavarësisht mundësisë që ekziston për të shkuar drejt tij. Këtë garanci e bazon tek institucionet e drejtësisë, të cilat duhet ta evitojnë atë, duke bërë ndërhyrje të forta legjislative për të kompensuar humbjet.

“Reforma në drejtësi është politike publike, e madhe më e rëndësishmja që nga komunizmi dhe si çdo politikë publike dhe ka të papritura gjatë rrugës dhe sa i takon këtij problemi të largimit të paparashikuar të magjistratëve nga sistemi jemi disi të papërgatitur, megjithatë nuk është e mundur të shkohet drejt kolapsit. Në rast se këto prurje që janë identifikuar deri tani për përqindjen e magjistratëve që lënë sistemin si rezultat i vetingut dhe nëse konfirmohet dhe nuk bëhet asgjë natyrisht që do shkojmë drejt kolapsit. Kolapsi nuk është opsion se për ta evituar atë janë institucionet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë është parlamenti dhe miqtë ndërkombëtarë. Kolaps nuk mund të kemi, por nuk duhet të rrimë duarkryq. Duhen bërë ndërhyrje të forta legjislative për të kompensuar humbjet ne sistem dhe e vetmja mënyrë është duke shtuar prurjet”. (për më shumë)

“Po ndërtohet një sistem i ri korporativ”, Krasniqi: Problem mungesa e kontrollit dhe komandimi

Për analistin Afrim Krasniqi një nga problemet e mëdha të sistemit të ri të drejtësisë është moskontrolli i atyre që janë në krye të sistemit, ndërkohë që ata që janë në fund të tij duhet të përgjigjen edhe për qindarkën e fundit. Sipas tij reforma në drejtësi kërkon transparencë dhe besim te qytetari.

“Reforma kërkon nivelin më të lartë të transparencës dhe vendimmarrjes konsensuale dhe të besueshme publike qytetari duhet të bindet kjo që na është propozuar është më e mirë.

Problemi është se ne kontrollojmë magjistratët por jo disa nga anëtarët e Gjykatës së Lartë. Ata që janë në krye të sistemit nuk kontrollohen dhe ata që janë në fund të sistemit përgjigjen edhe për qindarkën e fundit dhe kjo është një nga problemet kryesore”. (për më shumë)

Reforma në Drejtësi, Dervishi: Burimet njerëzore nuk ishin të mjaftueshme. Koha për reflektim dhe korrigjim

Analisti Lutfi Dervishi, i ftuar në studion e “Absolut 4” në A2, deklaroi se koha tregoi që Shqipëria nuk kishte burimet e mjaftueshme njerëzore për të plotësuar institucionet e reja të drejtësisë.

“Në vitin 2016, mendohej që Reforma në Drejtësi do të kishte një ritëm më të shpejtë. Duket sikur 5 vite kanë kaluar shumë shpejt, që nga ajo seancë Kuvendi me entuziazëm të madh. Struktura e re e drejtësisë është e ngarkuar, me shumë institucione të reja, u ngritën pikëpyetje mbi faktin nëse i kishte Shqipëria burimet e mjaftueshme njerëzore për të plotësuar institucionet e reja. Për fat të keq, duhet thënë që kjo reformë është shtyrë më shumë nga të huajt dhe doli e qartë që burimet njerëzore nuk ishin fare të mjaftueshme”, u shpreh Dervishi. (për më shumë)

Dervishi: Duke trajtuar çdo fenomen me fushata nuk shkohet larg, ashpërsimi i politikës penale është e gjeja e fundit

Për sa i përket reformës gjyqësore, si dhe ashpërsimit të normave që premtohen sa here që ndodhin ngjarje kronike të bujshme në vend, analisti Lutfi Dervishi ka një mendim të prerë.

“Kemi krijuar një traditë ku bëjmë shumë reforma, fushata, ndoshta ka ardhur koha të bëjmë edhe pak punë. Sepse duke e trajtuar çdo fenomen me fushata dhe propagandë nuk do kemi rezultate. Çështja e krimit nuk duhet të fokusohet tek Gjykata, është gjëja e fundit. Ndërkohë, gjeja e parë që bëjmë është ashpërsimi i politikës penale, na ka dhënë rezultate? Jo, madje është shndërruar në bumerang”. (për më shumë)