Studimi i ri: Epidemia e koronavirusit daton 20 mijë vjet më parë në Azinë Lindore

korona 1100x620

Më shumë se 20 mijë vjet më parë, popujt e Azisë Lindore u desh të përballeshin me një epidemi të koronavirusit që la në ADN-në e tyre gjurmët gjenetike të një bashkëjetese të gjatë. Një studim i botuar në “Current Biology” tregon se koronavirusët njerëzorë të aftë për të shkaktuar sëmundje serioze nuk janë vetëm një kërcënim i 20 viteve të fundit.

Në dy dekadat e kaluara kemi kaluar tri epidemi të shkaktuara nga Betacoronavirus, koronavirusë njerëzorë të aftë për të shkaktuar sëmundje serioze, si SARS-CoV, i cili filloi në Kinë në vitin 2002 dhe vrau më shumë se 800 njerëz; MERS-CoV, virusi i koronavirusit të sindromës respiratore në Lindjen e Mesme, i cili shkaktoi 850 vdekje dhe së fundmi SARS-CoV-2, i cili ka shkaktuar mbi 3.8 milionë vdekje deri më tani.

Një studim mbi evolucionin e gjenomit njerëzor, i kryer nga Universiteti i Arizonës, Universiteti i Kalifornisë San Francisco dhe Universiteti i Adelaide (Australi), nxjerr në dritë një tjetër epidemi shumë më të vjetër të koronavirusit në Azinë Lindore, në zonën e pushtuar tani nga Kina, Japonia, Mongolia, Koreja e Veriut, Koreja e Jugut dhe Tajvani.

“Të gjitha gjenomat grumbullojnë vazhdimisht mutacione, shumica e të cilave janë të padëmshme dhe nuk çojnë në ndryshime të funksionit të gjeneve. Ne mund ta imagjinojmë frekuencën e mutacioneve si një orë gjenetike e vazhdueshme”, shpjegon për Focus.it Kirill Alexandrov, një nga autorët e studimit.

“Kur ka presion selektiv, orët e disa gjeneve fillojnë të dridhen më shpejt pasi grumbullojnë mutacione të dobishme. Studimi ynë tregoi se, mbi 20,000 vjet më parë, shumë gjene njerëzore që SARS-CoV-2 përdor për të manipuluar qelizat e trupit filluan të dridhen më shpejt njëkohësisht, si për të treguar se ekzistonte një pandemi virale e shkaktuar nga një virus i ngjashëm”.

Shkencëtarët përdorën të dhëna nga “1000 Genomes Project”, katalogu më i madh dhe më i detajuar i ndryshueshmërisë gjenetike njerëzore, për të vëzhguar se si kanë ndryshuar me kalimin e kohës gjenet njerëzore që kodifikojnë proteina të afta për të bashkëvepruar me SARS CoV-2. Veçmas, ata gjithashtu sintetizuan proteina njerëzore dhe proteina tipike të koronavirusëve, si spike, dhe treguan se këto bashkëveprojnë në një mënyrë të drejtpërdrejtë dhe se mënyra për të sulmuar qelizat e viruseve të kësaj familje është ruajtur me kalimin e kohës.

Duke studiuar se si evoloi gjenomi njerëzor në rajone që kodifikojnë proteina që bashkëveprojnë me këto patogjenë, ekipi arriti në përfundimin se, më shumë se 20,000 vjet më parë, paraardhësit e popullatave të sotme të Azisë Lindore u përballën me një epidemi të shkaktuar nga një koronavirus që shkaktoi një sëmundje të ngjashme me Covid, ose nga një virus që sulmoi qelizat me të njëjtin mekanizëm.

Gjatë epidemisë, përzgjedhja natyrore veproi në gjenomin njerëzor duke favorizuar, si në një formë adaptimi, variante gjenetike të afta të çojnë në një sëmundje më pak të rëndë.

“Gjenomi modern njerëzor përmban informacion evolucionar që na lejon të kthehemi në dhjetëra mijëra vjet më parë, sikur të ishim duke studiuar unazat e një peme për të marrë informacion mbi kushtet që kaloi në fazën e rritjes”, shpjegon Alexandrov.

Në parim, procedimi me këtë lloj analize mund të përpilojë një listë të viruseve, ose të paktën familjeve të viruseve, që kanë shkaktuar shpërthime në shkallë të gjerë në të kaluarën, dhe që mund ta përsërin këtë gjatë gjithë historisë.