Denoncimi i PD: Rama shpërblen me fonde publike autorët e masakrës zgjedhore

WhatsApp Image 2021 07 02 at 11.42.34 1100x620

Partia Demokratike thotë se pas asaj “masakre zgjedhore” të 25 prillit, socialistët po shpërblejnë ata që i ndihmuan të blinin vota.

“Si shpërblim për shërbimet e tij ndaj Ramës, trafikanti Pëllumb Gjoka, përfiton pa garë nga Bashkia Tiranë  tenderin me objekt “Shërbim mirëmbajtje dhe furnizim me solucion për tunelet e dezinfektimit”, me vlerë kontrate 204 mijë euro (95% e fondit limit). Por shpërblimet nuk kanë munguar edhe përpara masakrës zgjedhore, pasi nga shtatori 2020 ka përfituar nga e njëjta bashki 5 tendera me vlerë 1,8 milionë euro si dhe në janar 2021 (periudhë zgjedhore) ka përfituar nga KKT me firmën e Edi Ramës “Leje për ndërtimin e objektit: “Kompleks turistik “Silver Sand Resort”, me vendndodhje në zonën Pulaj-Plazh, Velipojë”, tha Alibeaj.

“Tenderat të fituar pa garë dhe pranë fondit limit nga Bashkia e drejtuar nga Veliaj dhe leja e ndërtimit në Velipojë me vulën e Edi Ramës, janë ilustrimi më kuptimplotë se si paratë e drogës shkrihen me paratë publike dhe se si shteti vendoset në shërbim të kriminelëve që vodhën zgjedhjet, për të vjedhur bashkë me politikanët e korruptuar taksat e shqiptarëve. Partia Demokratike ka kallëzuar penalisht në SPAK Pëllumb Gjokën për blerje votash gjatë masakrës zgjedhore të 25 prillit, bashkë me të janë kallëzuar Tom Doshi, Artur Hata (burri i deputetes së PSD-së Meri Merkiçit) dhe Dor Dulin, të gjithë persona me rekorde kriminale. Sot ne i bëjmë përsëri thirrje SPAK të mos vonojë hetimet ndaj autorëve të masakrës zgjedhore, sepse çdo tolerim, çdo vonesë, dëmton drejtpërsëdrejti qytetarët shqiptarë, duke çimentuar edhe më shumë kapjen e shtetit nga krimi dhe korrupsioni”, shtoi Alibeaj.