Epidemiologu: Shqipëria ka arritur imunitetin natyral të grupit, qeveria të vendosë masa në kufij

Mjeku Erion Dasho u shpreh në “Ditari” në A2 se Shqipëria ka arritur imunitetin e grupit dhe tashmë problemi i Covid-19 është zgjidhur në vendin tonë.

“Shqipëria e ka tejkaluar rrezikun e Covid-it dhe kjo verë do të jetë e qetë. Do të ishte garantuar 100% nëse qeveria do të kishte garantuar disa masa të thjeshta. Prej muajsh, unë gjykoj që Shqipëria ka arritur imunitetin e grupit në mënyrë natyrale. Unë gjykoj që problemi i Covid është zgjidhur në Shqipëri”, tha Dasho.

Më tej, epidemiologu këshilloi që qeveria të vendosë rregulla në kufij për personat që futen në vendin tonë për të minimizuar mundësinë e hyrjes së variantit Delta në vendin tonë.

“Është disiplinimi i hyrjeve të udhëtarëve të huaj në Shqipëri ose edhe shqiptarë që kthehen në vend për të kaluar pushimet. Ministria e Shëndetësisë është paradoksale këtu. Të gjitha flasim për rrezikun e variantit Delta, ndërkohë që nuk marrin asnjë masë për parandalimin e përhapjes së këtij varianti në Shqipëri. Varianti Delta nuk vjen nga qielli, por mund të vijë nga udhëtarët që vijnë në Shqipëri. Nëse ministria është e shqetësuar për këtë variant, kjo është një masë që e minimizon hyrjen e këtij varianti”.

Për mjekun Dashu, Shqipëria bën ndryshim nga vendet e tjera në Europë sa i përket imunizimit, duke qenë se sipas tij është natyral dhe jo i arritur nëpërmjet vaksinave.

“Unë personalisht kam një shpresë se imuniteti natyral të mbron edhe nga varianti Delta. Shqipëri ka një ndryshim nga Europa, pasi pjesa më e madhe e imunitetit, për shembull në Gjermani, është arritur imuniteti nga vaksina, ndërsa Shqipëria ka imunitet natyral. Personat që janë imunizuar nëpërmjet kalimit të infeksionit kanë mbrojtje shumë më të fortë sesa ata që e kanë arritur nëpërmjet vaksinimit. Në Shqipëri kemi mbi 2 milionë qytetarë që e kanë kaluar Covid-19”.