Finalja e parakohshme, Italia sfidon Belgjikën, Chiesa titullar, rikuperohet De Bruyne

itali uells 1100x620

Nga Londra në Mynih për një tjetër natë magjike. Italia e 31 ndeshjeve pa humbje sfidon sot në mbrëmje Belgjikën, skuadrën që prej të paktën 3 vitesh qëndron në vendin e parë të klasifikimit botëror të FIFA-s.

Për të kaltrit e Roberto Mancinit ky do të jetë kundërshtari i parë i vërtetë në një turne madhor, për të bindur se rekordi i fitoreve nuk ardhur vetëm si rrjedhojë e rivalëve jo dhe aq të denjë që “axurrët” kanë pasur përballë.

Surpriza e formacionit italian mund të jetë Fedriko Kiesa, njeriu që zgjidhi sfidën kundër Austrisë, me golin në shtesë. Mesfushori i Juventus duket se ka mposhtur konkurrencën e Domeniko Berardit dhe do të jetë ai që do mbështesë Insinjen dhe Imobilen në sulm.

Mesfusha këtë herë do të kontrollohet nga Zhorzhinjo, Verrati dhe Barrela, ndërsa në mbrojtje Mancini ka rikuperuar Kielinin, ai që do të kujdeset për kërcënimin më të madh që vjen nga Belgjika, Romelu Lukakun.

Tekniku i belgëve, ndërkohë, Roberto Martinez edhe pse ia lë mjekëve në dorë aktivizimin e Kevin De Bryjn apo Eden Hazard, pritet të ketë paktën yllin e Manchester City-t prej minutës së parë, ndërkohë që Hazard mund ta nisë nga stoli.

Janik Karrasko pritet të jetë prej fillimit në vend të sulmuesit të Realit Madridit, i vetmi ndryshim nga formacioni me të cilin Belgjika eliminoi një fazë më parë, kampionët e Evropës, Portugalinë.