Hetimi për tonelatat e drogës. Zyrtarët “garantë” të trafikut, si mbërriti SPAK te “Shpirti”

Operacioni “Shpirti” ka ardhur si rrjedhojë e dy hetimeve të mëhershme të trafikut të drogës mes Shqipërisë dhe Italisë. Sipas SPAK, në hetimet e bëra në kuadër të operacioneve “Shefi” dhe “Kulmi”, në mars 2018 dhe qershor 2020, ku janë arrestuar shqiptarë e italianë, hetuesit kanë rindërtuar një tablo të një organizate kriminale ku ishin përfshirë edhe zyrtarët e lartë të policisë.

Ata dyshohen nga SPAK për veprime korruptive, shpërdorim të detyrës, “pastrim të parave” dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, duke garantuar kultivimin dhe trafikimin e drogës.

Një nga pikat kyçe të hetimit, ka qenë bashkëpunimi me drejtësinë i katër personave të arrestuar më herët, thëniet e të cilëve, kryqëzuar me prova të tjera, kanë ndërtuar gjithë “zinxhirin e prodhimit” të drogës, që nga kultivimi, prodhimi, mbledhja, magazinimi dhe trafikimi në drejtim të brigjeve puljeze me mjete lundruese të fuqishme.

Nga hetimet, që shtruan rrugën drejt “Shpirtit”, janë sekuestruar në total 6 ton drogë e llojit marijuanë, kokainë dhe hashash, vlera e së cilës, e shpërndarë me pakicë, do të shkonte në mbi 55 milionë euro.

Personat e prangosur nga këto operacione, pasi janë përballur me drejësinë italiane, janë shpallur fajtorë dhe kanë marrë dënime deri në 20 vite burg.