Lufta në Afganistan, tërhiqen të gjitha trupat nga baza e Bagram

Trupat e fundit të SHBA-së dhe NATO-s lanë bazën ajrore të Bagram në Afganistan, epiqendra e luftës 20-vjeçare kundër talebanëve dhe Al-kaedës. Tërheqja mund të sinjalizojë se largimi përfundimtar i forcave të huaja nga Afganistani, është e afërt.

Presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi se trupat amerikane do të largoheshin deri më 11 shtator, në 20-vjetorin e sulmeve terroriste ku mbetën të vrare mbi 3 mijë vetë. Por fundi i pranisë amerikane në zonë, vjen në një kohë kur talebanët po avancojnë në shumë pjesë të Afganistan.

Kritikët e cilësojnë largimin e trupave një fitore për militantët. 

“Nuk ka garanci se terrori nuk do të rikthehet. Edhe talebanët thanë se do t’i shkëpusnin lidhjet me Al-Kaedën. Por nuk kemi parë sinjale për këtë. Prandaj ne dhe i gjithë rajoni jemi në rrezik”, tha Abdullah Abdullah, kreu i Këshillit të Lartë për Pajtimin Kombëtar.

Rreth 2500-3500 trupa mendohet të jenë ende në Afganistan, dhe tërheqja e tyre pritet të bëhet në koordinim me 7 mijë trupa të tjera të forcave aleate.

Talebanët kanë marrë kontrollin në dhjetëra distrikte, duke nxitur frikën se një luftë e re civile mund të shpërthejë pas largimit të trupave ndërkombëtare. Baza ajrore e Bagremit shtrihet përgjatë 40 km në veri të Kabulit.

 Forcat e koalicionit të drejtuar nga SHBA, zbarkuan aty në dhjetor të 2001-shit, duke e shndërruar në një prej bazave më të mëdha, me kapacitet për mbajtjen e 10 mijë trupave.

Bagrami ishte një prej zonave të identifikuara në raportin e swnatit amerikan për torturat që u nënshtroheshin të dyshuarit e Al-kaedës.