Luis Enrique: Ishte seria e 11-metërshave më e qetë e jetës sime

luis 600x338

Trajneri i Spanjës, Luis Enrique, deklaroi se e kishte parashikuar që në fillim të “Euro 2020” se ekipi i tij do të luftonte për trofeun deri në fund.

“E kam thënë që në fillim se ishim një nga 8 ekipet që mund ta fitonin titullin. Sot, jemi në 4 ekipet më të mira”, tha Luis Enrique.

Ai ironizoi edhe gazetarët, në lidhje me sulmuesit, Alvaro Morata dhe Gerard Moreno: “Sa mirë që rastet sot i humbi Gerard Moreno sepse po t’i kishte humbur Morata, do ta kishit vrarë”.

Sa i përket penalltive, trajneri i Spanjës tha: “Ishte seria e 11-metërshave më e qetë e jetës sime. Kishim përgatitur gjithçka dhe nuk mund të bënim më shumë se aq”.

Ndërsa heroi i penalltive, portieri Unai Simon, tha pas ndeshjes se Spanja e meritoi plotësisht fitoren: “Futbolli u tregua i drejtë sot. E meritonim kualifikimin. Tani, në gjysmëfinale, këdo që të kemi përballë, do të jetë ndeshje e fortë. Duhet të futemi në fushë me mentalitetin për ta fituar ndeshjen. Jam shumë i lumtur dhe inatin që kisha brenda meje, e nxora më në fund”.

Portieri spanjoll, i cili u shpall më i miri i ndeshjes, vlerësoi kolegun e tij të Zvicrës: “Unë do t’ia jepja çmimin Sommerit, pasi bëri një ndeshje shumë të mirë”.