Operacioni i SPAK dhe Antimafias italiane, De Raho: Kemi ngritur një mur të pakalueshëm për krimin e organizuar në Shqipëri dhe Itali

Screenshot 1 1 1100x620

Prokurori Kombëtar i Antimafias Italiane, Cafiero de Raho, lavdëroi punën e SPAK, në një mbledhje online të zhvilluar me drejtuesit më të lartë të autoriteteve shqiptare, pas operacionit kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave.

De Raho tha se hetuesit e SPAK dhe të Prokurorisë së Barit kanë punuar si një skuadër e përbashkët në këtë operacion, si rezultat i të cilit janë arrestuar 38 persona, 28 prej të cilëve vetëm ditën e sotme. “Prej kohësh jemi të vetëdijshëm që mund të punojmë bashkë, të dy zyrat i lidh një marrëdhënie intensive që bën të mundur arritjen e rezultateve të jashtëzakonshme. Operacioni i sotëm tregon që, bashkë, arrijmë të identifikojmë edhe pabesinë e disa pjesëve të institucioneve, mbi të cilat vendet tona duhet të tregojnë vëmendje të madhe”, tha De Raho.

“Bashkëpunimi ynë, Shqipëri-Itali, lejon përforcimin e strukturave për të luftuar krimin e organizuar. Kjo është thelbësore që njerëzit të kenë besim te këto struktura. Kjo na bën që ta shohim të ardhmen me më shumë siguri. Organizatat kriminale në Shqipëri dhe Itali do të gjejnë një mur të pakalueshëm, që do t’i pengojë të zhvillojnë aktivitetin e tyre”, shtoi ai.