Organet e vetingut, dy kandidatë përjashtohen me kërkesë të ONM

WhatsApp Image 2021 06 29 at 12.32.08 1100x620

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për përzgjedhjen e dy kandidatëve në organet e vetingut miratoi listën e kandidatëve duke eliminuar dy prej tyre, pas sugjerimit të marrë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Jashtë garës mbetën Serxho Mazreku dhe Lindita Blinishti. Për kandidatin Mazreku, kryetari Ulsi Manja pohoi se ai ka garuar më parë për në Gjykatën Kushtetuese, por është rrëzuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për shkak të problemeve me pasurinë. Mazreku ka ankimuar vendimin në Apelin Administrativ, që ka konfirmuar vendimin e KED.

Ndërsa sa i përket kandidates Lindita Blinishti, ONM sugjeroi mos kandidimin e saj sepse ka mbajtur një qëndrim jo korrekt ndaj procesit të vetingut në vitin 2017, por edhe më pas – nënvizoi Manja – gjë që sipas ONM do ta cenonte shumë besimin e publikut tek organet e vetingut, nëse do t’i jepej mundësia të zgjidhej si anëtare zëvendësuese.

Si përfundim, Komisioni i Posaçëm miratoi listën me 13 kandidatë për anëtar zëvendësues të Komisionerit Publik, si dhe listën me 4 kandidatë për anëtar të Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit.