Përleshje mes protestuesve dhe policisë në Turqi, pas tërheqjes zyrtare nga Konventa e të Drejtave të Grave

Policia turke është përleshur me protestues të grupeve feministe, pasi presidenti Recep Tayyip Erdogan zyrtarisht tërhoqi shtetin nga Konventa e të Drejtave të Grave, të cilën e akuzon se po përpiqet të “normalizojë homoseksualitetin”.

Protestuesit marshuan në Stamboll dhe qytete të tjera turke në mbështetje të Konventës së Këshillit të Europës, që mban pikërisht emrin e qytetit më të madh të Turqisë. Ai është traktati i parë në botë ku vendet pjesëmarrëse përkushtohen për të parandaluar dhe luftuar dhunën ndaj grave.

Marrëveshja e nënshkruar nga 45 shtete dhe Bashkimi Europian në vitin 2011, kërkon që qeveritë e shteteve të miratojnë legjislacion që ndëshkon posaçërisht krime si përdhunimi brenda martesës dhe gjymtimin e organeve gjenitale.

Qindra gra dhe burra u mblodhën në qendër të Stambollit të enjten për të protestuar, por u ndeshën me bllokimin e rrugës nga policia. Vendimi nuk u miratua nga protestuesit të cilët u përleshën me forcat e rendit.