Rrezikon Olimpiadën pasi doli pozitive për kanabis, sprinterja amerikane: Edhe unë njeri jam

Një nga sprinteret më premtuese të Shteteve të Bashkuara, e njohur dhe me nofkën “the new Flo-Jo”, mund të humbasë pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike të Tokios pasi rezultoi pozitive për përdorim kanabisi.

Burime për Reuters bëjnë me dije se gruaja më e shpejtë e Amerikës, Sha’Carri Richardson ngeli në testimin e drogës që bëhet përpara nisjes për në Olimpiadë.

Nëse rezultati i testit do të konfirmohet, 21-vjeçarja me shumë siguri do të pezullohet nga ekipi amerikan, gjë që do të thotë se nuk do të marrë pjesë në garën e 100 metrave në Tokio.

Richardson nuk e ka komentuar testin e antidopingut, por raportohet të ketë bërë një postim në rrjetet sociale ku shkruhet “Edhe unë jam njeri”.

Kanabisi është klasifikuar si një substancë e ndaluar nga WADA në janar të këtij viti dhe përdorimi i saj nga atletët mund të çojë në një pezullim 4-vjeçar.