”Rruga për në Prespë”, Zaev e konsideron Ballkanin si shpresë të re për Europën

“Rruga për në Prespë” mblodhi personalitete të rëndësishme ndërkombëtare në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri i këtij shteti, Zoran Zaev, drejtoi konferencën në kuadër të Forumit për Dialog për shënimin e përvjetorit të marrëveshjes historike të Prespës, që i dha fund mosmarrëveshjeve mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke rezultuar me ndryshim të emrit.

Shefi i qeverisë së Shkupit foli me krenari për ujdinë dhe tha se mbetet shembull për mbarë botën.
“Marrëveshja i dha fund një epoke dhe ishte fillimi i një kapitulli të ri si për të dyja vendet, ashtu edhe për rajonin më gjerë. Kur bashkëpunimi është konstruktiv dhe me vullnet të mirë, paqja paraqitet me një arritje natyrore. Bota e pranoi se edhe nga Ballkani mund të vijë një histori suksesi”, u shpreh Zoran Zaev, kryeministri i Maqedonisë së Veriut.

Pjesë e panelit dhe bashkëfirmëtari, ish-kryeministri grek, Aleksis Tsipras.

“Marrëveshja e Prespës ishte një hap i madh, jo vetëm në zgjidhjen e një problemi madhor, por edhe një mesazh i rëndësishëm për vendet e ballkanit”, u shpreh Tsipras, ish-kryeministër i qeverisë.

Mesazhin për këtë marrëveshje historike, kreu i BDI Ali Mehmeti e dha për A2 CNN.

“Ishte historike, ndihmoi shqiptarët”, u shpreh Mehmeti.

I pranishëm në konferencën “Rruga Drejt Prespës”, ishte edhe zv.ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit për Europën dhe Euroazinë, Filip Reeker.

“Prespa vendosi nje standard për të gjithë rajonin, lidhur me zgjidhjen paqësore të konflikteve përmes dialogut dhe konfirmoi për botën se liderët e Ballkanit Perëndimor janë në lartësinë e sfidës”, tha Reeker.

Ish-shefja e BE-së për politikë të jashtme, Federika Mogherini dhe eurokomisioneri, Johanes Hahn, folën më shumë krenari për marrëveshjen e Prespës. Në panel i pranishëm dhe kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, si dhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.

Në fund të eventit, arkitekti i marrëveshjes së Prespës, ndërmjetësuesi i OKB, Methju Nimetz, u nderua me çmimin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Organizatorët thanë se ai çmim do të jepet çdo vit.