Shfuqizimi i “herësit”, kreu i KQZ: Kushtetuesja mund të ndryshojë mandatet e 25 prillit

Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë mënyrën e shpërndarjes së mandateve parlamentare, por Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, është në pritje të vendimit të zbardhur për të parë nëse trupa prej shtatë anëtarësh do të ndikojë në mandatet parlamentare të 25 prillit. 

 “Tani nuk e themi dot sepse ne nuk e kemi arsyetimin e vendimit dhe ajo çka është më kryesorja, ky vendim nuk ka hyrë në fuqi. Në momentin kur ky vendim do të jetë i arsyetuar dhe do të jetë në fuqi do të bëjmë një interpretim të këtij akti. Hyrja në fuqi e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk e dimë se si do të afektojë në vendimmarrjet përkatëse”, u shpreh Celibashi.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë fuqi prapravepruese për akte që kanë ezauruar efektin e tyre ligjor, por mandatet e 25 prillit janë ende në proces ankimimi.

Kujtim Gjuzi ka paraqitur në Kolegjin Zgjedhor kërkesën ankimore kundër shpërndarjes së mandateve, e cila nëse do të pranohej nga Kolegji, do të krijonte një situatë të re në të cilën vendimi i Kushtetueses mund të ndikojë direkt edhe 25 prillin.

“Nëse kolegji nuk vendos ndryshe, vendimi i Komisionerit për shpërndarjen e mandateve dhe deklarimin e numrin e votave të çdo subjekti zgjedhor është i pakthyeshëm si vendim. Është vendim përfundimtar.”, shtoi Celibashi.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka trazuar ujërat në selitë kryesore politike të Tiranës ku as Partia Socialiste dhe as Partia Demokratike nuk janë shprehur ende ndaj aktit i cili hodhi poshtë herësin brenda listës, duke i hapur ato 100%.