Shtrenjtimi i çmimeve, shqiptarët po hanë më pak fruta këtë vit

Përballë çmimeve gjithmonë e më të shtrenjta dhe të njëjtës sasi parash në xhep, shqiptarët po hanë më pak fruta dhe perime këtë vit.

Ushqimet janë kategoria që prej mbi një viti mbajnë gjallë inflacionin, sipas të dhënave që raporton INSTAT. Por në vend të rritjes së konsumit, ajo që ka ndodhur në të vërtetë, është shtrenjtimi i çmimeve, që vazhdon zinxhir, që nga prodhimet e tokës, te grumbulluesit dhe shitësit me shumicë, deri te stendat e tregjeve ku blejnë shqiptarët.

Shitësit e pranojnë që çmimet janë rritur për një numër të madh produktesh. Pavarësisht se prodhimi ka qenë i bollshëm, ata shprehen se fermerët janë munduar të kompensojnë humbjet e vitit të kaluar, ku pandemia sigurisht dha ndikimin e saj.

Ky shtrenjtim i çmimeve, ka ndikuar natyrshëm edhe në uljen e xhiros.

Sipas INSTAT, prodhimi i frutave është shtrenjtuar me 12.7% këtë vit, ndjekur nga agrumet që janë rritur me 8.1%. Më lirë kanë kushtuar vetëm ullinjtë për shkak të mbiprodhimit dhe patatet, por me një ndikim të vogël në xhepat e konsumatorëve. Ndërsa mesatarisht janë shtrenjtuar me 4.5% edhe prodhimet e blegtorisë, duke bërë që krahas fruta-perimeve, shqiptarët të konsumojnë më pak edhe për mishin, qumështin dhe nënprodukte të tjera.